E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovari i kërkuar nga FBI, “po” ekstradimit në SHBA



TIRANE - Xhelal Sherifi, kosovari i kërkuar nga FBI-ja amerikane, i arrestuar pak ditë më parë në Rinas, pranoi dje në Gjykatën e Tiranës ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara. Sherifi ishte thirrur në gjykatë për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”, për të cilën drejtësia e SHBA-ve e ka dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Pyetjes së togave të zeza, nëse do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara mësohet t’i jetë përgjigjur: “Në qoftë se nuk ka mundësi të gjykohem në Shqipëri, apo në Kosovë, atëherë mund të ekstradohem në SHBA”. Ndërsa për ngjarjen e vitit 2001, të ndodhur në Amerikë, Sherifi ka pranuar që ka kryer krimin, por se nuk ishte në dijeni të faktit që ishte dënuar për të. Për shkak të moshës së mitur dhe një garancie pasurore, ai atëherë i shpëtoi burgimit, ndërsa më pas u largua nga Amerika. Dy ditë më parë gjykata e kryeqytetit vendosi për të masën e sigurisë “arrest me burg” për 60 ditë. Kjo periudhë kohore do të shërbejë për kryerjen e procedurave për ekstradimin e tij drejt Amerikës. Sherifi, 25 vjeç, deri të mërkurën ishte person në kërkim nga FBI-ja dhe emri i tij ekzistonte në listat e të kërkuarve nga Interpoli Ndërkombëtar. Ai u prangos në ambientet e aeroportit të Rinasit, pak pasi kishte zbritur nga një avion i ardhur nga Afganistani. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›