Lirohen dy kryepleqtë që s’kallëzuan kanabisin
SHKODER - Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për 2 kryepleqtë e ndaluar dy ditë më parë për moskallëzim të kultivimit të bimëve narkotike. Vetë kryepleqtë në seancën e parë në ngarkim të tyre pohuan se mungesa e infrastrukturës rrugore në një zonë të thellë dhe malore e bën të pamundur kontrollin e bimëve narkotike në të gjithë territorin e tyre. Të arrestuarit ishin Gjon Bunga dhe Gjon Nika që të dy kryepleq të fshatrave Plan dhe Mgullë të komunës Pult të Shkodrës. Gjatë seancës së djeshme ata u shprehën se nuk kanë pasur dijeni që në ato zona tejet të thella dhe ku nuk ka asnjë rrugë normale kalimi për të shkuar aty, ishte kultivuar bimë narkotike. Në rastet kur ata e kanë konstatuar një fakt të tillë, kanë kryer detyrën, duke bërë edhe denoncimin. Zonat e thella dhe mungesa e infrastrukturës e ka bërë të pamundur që ata të mbulojnë 100 % të fshatrave të tyre. Një fakt të tillë e ka marrë në konsideratë edhe gjyqtarja e kësaj seance. Pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes si dhe nisur nga fakti se të dy të pandehurit nuk kishin precedentë të mëparshëm, vendosën detyrim paraqitje.