E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po s‘pagove dritat, të marrin plaçkat

Debitorëve familjarë të energjisë elektrike do t‘u merren plaçkat e shtëpisë për faturat e papaguara. Gjithsej 165 debitorë rrezikojnë të humbasin një pjesë të orendive shtëpiake, pasi Zyra e Përmbarimit pranë Gjykatës së Fierit po merr në shqyrtim dosjet e dërguara nga Filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për këta debitorë. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i OSSH-së së Fierit, Arqile Kume, si dhe nga kreu i Përmbarimit të Fierit, i cili thotë se për disa debitorë familjarë është duke u ekzekutuar urdhri për sekuestrim. Kreu i OSSH-së së Fierit, Arqile Kume, tha se 165 debitorë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë familjarë, rezultojnë borxhlinj ndaj OSSH-së për faturat e energjisë elektrike. "Ne kemi përdorur të gjitha format e njoftimit për të imponuar abonentët debitorë. Jemi përballur me një hezitim të tyre dhe jemi detyruar që t‘i dërgojmë dosjet përkatëse në Përmbarim, në mënyrë që nëpërmjet tyre të marrim të gjithë shumën e borxhit. Shuma që i kanë borxh OSSH-së 165 debitorët shkon në rreth 70 milionë lekë", thotë Arqile Kume.

Ai shpjegon më tej se faturat e pashlyera të energjisë ishin shkak i dërgimit të këtyre abonentëve në Përmbarim, por ka edhe raste ku abonentët kanë cenuar matësit të energjisë, apo raste të tjera kur janë bërë lidhje të paligjshme me sistemin e shpërndarjes së energjisë.

Për nëntë abonentë familjarë dhe privatë, OSSH-ja e Fierit ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit. Konfirmohet se kallëzimi për ta është bërë gjatë javës së fundit dhe pritet që hetimi që do të vijojë për këta të paditur të çojë edhe në arrestim të tyre.

Ndërkohë bëhet e ditur se nga dje ka nisur llogaritja e kamatëvonesës për të gjithë debitorët e OSSH-së, të cilëve u ishte lënë afat të shlyenin pagesën deri më 1 tetor.

Duke nisur nga e mërkura, sipas kreut të OSSH-së Fier, Arqile Kume, do të nisë të aplikohet kamatëvonesa si dhe ndërprerja e energjisë individuale, por jo më me një rilidhje brenda 24 orësh në rast shlyerje fature, por me një afat 72 ditë. Shkak i këtyre masave drastike është bërë privatizimi i afërt i këtij operatori.

Me privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të gjitha ndërhyrjet e paligjshme në KESH nuk do të jenë më të tolerueshme. "Duke filluar nga data 2 tetor, do të paguhen të gjitha faturat me kamatëvonesë. Gjithashtu, të gjithë debitorëve që kanë mbushur afatet tremujore të mospagimit të energjisë elektrike, do t‘u pritet energjia dhe nuk do t‘u lidhet më brenda ditës, por brenda afatit të 72 ditëve siç përcaktohet në kontratë. Nuk do të tolerojmë më për këtë punë, pasi na kërkohet ritmi për kamatëvonesat. Tashmë jemi në prag të privatizimit dhe mangësi të tilla nuk do të tolerohen më", është shprehur Kume. Gjithashtu drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shton se brenda tre muajve, të gjithë debitorët e energjisë elektrike duhet të paguajnë faturat dhe në të kundërt do të ndërhyhet me ndërprerje të energjisë elektrike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›