E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtroi 30 të papunë, arrestohet durrsaku

Kapet një nga dy personat e akuzuar për mashtrimin e 30 vetave me punësim në Malin e Zi. 47-vjeçari Besnik Bytyçi është ndaluar nga forcat e policisë disa ditë pas shpalljes në kërkim nga antikrimi ekonomiko-financiar i Durrësit. Bytyçi është banor i zonës së plazhit, lagjes 13 të qytetit dhe me arsim 8-vjeçar. Megjithatë, arsimimi nuk e ka kufizuar në nisjen e një biznesi, që konsistonte në gjetjen e mundësive të punësimit jashtë vendit për punëkërkuesit nga Durrësi, nëpërmjet ndërmjetësimit mes palëve. Në bashkëpunim me shtetasin kosovar Rasim Smajli, ata nisën biznesin, duke nxjerrë njoftime në ambientet publike të qytetit dhe tërhequr vëmendjen e të papunëve. Rreth 30 prej tyre që kontaktuan me dy sipërmarrësit për ofrimin e këtij shërbimi u mblodhën mëngjesin e së shtunës për të nisur rrugën drejt vendit të punës, por u ndeshën në mashtrim. Asnjëri prej dy personave që u kishte marrë paratë dhe premtuar punësimin në Mal të Zi nuk është paraqitur në vendin e takimit. Punëkërkuesit janë ndjerë të mashtruar dhe kanë denoncuar në polici dy personat, të cilët janë shpallur në kërkim më 27 shtator. Bytyçi dhe Smajli, me anë të mashtrimit, u kanë marrë 30 personave nga Durrësi dhe rrethinat e tij shumat prej 60 eurosh dhe 500 lekësh, me pretendimin se do t‘i punësonin në shtetin fqinj, në Mal të Zi. Marrja e këtyre parave për person është vërtetuar nga mandatet e arkëtimit, që të mashtruarit mbanin ndër duar ditën e denoncimit dhe që janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, burimet policore bënë të ditur se gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, me të njëjtën cilësi, gjatë ndalimit të Bytyçit u sekuestrua një diplomë e Universitetit të Tiranës e paplotësuar. Gjetja e kësaj diplome ka shtuar akuzat e ngritura ndaj Bytyçit. Përveç akuzës për veprën penale të mashtrimit në bashkëpunim, ai do të përballet edhe me atë të falsifikimit të dokumenteve shkollore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›