Dëmtime në kokë, niset për në Tiranë studentja nga Laçi

Një nga studentet e plagosura në aksident në spitalin e Vlorës
Sot konsulta vendos dhe për Besiana Xhenetin që humbi të fejuarin.
Elidiona Gjinaj transferohet nga reanimacioni i Vlorës tek Ushtaraku. Gjendja serioze dhe për Adjola Musakun.
Spitali i Vlorës ka larguar nga reanimacioni njërën prej studenteve të aksidentuara pasditen e së hënës në Qafën e Vishës në Himarë.
Sot mbushet një javë nga ngjarja tragjike ku humbën jetën 13 persona, 11 prej të cilëve studente të universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Dje u transferua drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës studentja nga Laçi, Elidiona Gjinaj. Sipas mjekëve të këtij spitali, heqja nga spitali i Vlorës është bërë me qëllim një ndërhyrje dhe trajtim më të specializuar nga mjekët e kryeqytetit. Ditën e sotme pritet që të kryhet dhe transporti i vajzës tjetër që po kurohet në Vlorë, Adjola Musaku, studentja nga Fieri. Sipas mjekëve të kirurgjisë së Elbasanit, dërgimi i studentes Gjinaj në Spitalin Ushtarak është bërë në bashkëpunim dhe me familjarët e saj, me qëllim për një ndërhyrje kirurgjikale nga dëmtimet që ka marrë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët thanë se Gjinaj ka dëmtime serioze në kokë, dëmtime të kafkës, të kraharorit, si dhe disa fraktura në trup. Ditën e sotme, mjekët pritet të kryejnë një konsultë në grup për të përcaktuar gjendjen e Musakut nga Fieri. Studentja e Gjuhë-Letërsisë mësohet se ka dëmtime të kafkës, gjymtyrëve, si dhe brinjë të thyera. Për Adjolën, disa herë është nevojitur kryerja e transfuzionit të gjakut. Pas konsultës së sotme do të vendoset nëse do të kryhet transporti i saj për në Tiranë, jo vetëm për specialistët që ka Ushtaraku, por dhe për shkak të mbingarkesës që ka spitali i Vlorës. Ndërsa për dy vajzat që i mbijetuan aksidentit tragjik, mbetet problem gjendja fizike e tyre, për rastin e Besiana Xhenetit, shqetësimi është i dyfishtë: parametrat fizikë janë drejt përmirësimit, por familjarët dhe mjekët e Vlorës, ndonëse sot mbushet java nga aksidenti tragjik i 21 majit, nuk i kanë treguar asaj për humbjen të fejuarit, Armand Halilaga. Pas transportimit të dy vajzave që mbaheshin në reanimacion, Besiana pritet të jetë e fundit studente e fatkeqësisë që do të mbahet në kontroll nga mjekët e Vlorës, deri në një vendim që do të merret në bashkëpunim me familjarët. Aksidenti i rëndë në Qafën e Vishës në Himarë shkaktoi 13 të vdekur dhe 26 të plagosur. Ende nuk është dhënë konkluzioni i Prokurorisë së Vlorës për këtë ngjarje, ndër më tragjiket e viteve të fundit. Pritet që pasi të mblidhen të gjitha raportet e specialistëve, organi i akuzës të përcaktojë mbi motivin që shkaktoi tragjedinë në rrugë.
Studentet në Austri, në koma
Dy studentet e plagosura nga aksidenti i Himarës, të cilat po trajtohen në Austri, vijojnë të jenë në gjendje kome. Dy tentativat e fundjavës për ti zgjuar kanë dështuar. Ditën e shtunë, mjekët kishin vendosur që të bënin një tentativë për zgjimin e Florie Peçit, por ajo nuk u realizua. Ndërsa më herët ka dështuar dhe ajo e Eriselda Guberes. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët janë në kontakt të përhershëm me spitalet e Austrisë, vajzat vazhdojnë të mbahen në jetë falë aparaturave. Ndërkaq, mëngjesin e së hënës pritet të merret vendimi dhe për 10 vajzat e tjera, që janë të shtruara në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tyre është mjaft e mirë dhe pjesa më e madhe e tyre pritet të dalin nga spitali. Të hënën besojmë se pjesa më e madhe e tyre do të largohen për në shtëpi. Tashmë e kanë kaluar rrezikun jetën, thanë mjekët.Elbasan, Meshë për viktimat e Himarës
ELBASAN Meshë për ata që humbën jetën në aksidentin e Himarës. Paraditen e djeshme, në kishën ortodokse autoqefale kombëtare shqiptare Shën Maria, u mbajt një meshë speciale përshpirtjeje për 13 viktimat e tragjedisë automobilistike të 21 majit në Himarë, ku gjetën vdekjen 11 studente të Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë të universitetit Aleksandër Xhuvani. Në meshën e mbajtur nga at Nikolla Marku, e cila zgjati rreth një orë, ishin të pranishëm edhe mjaft studentë të këtij universiteti. Gjatë meshës u bënë lutje përshpirtje për të gjitha viktimat. At Nikolla Marku, duke u lutur shprehu shpresën që tragjedi me përmasa të tilla të mos ndodhin kurrë. Ai u lut së bashku me të pranishmit që shpirtrat e viktimave të kësaj tragjedie automobilistike të prehen në paqe përgjithmonë. Kjo është mesha e dytë e mbajtur në këtë kishë për shpirtrat e 13 viktimave: 11 studente, i fejuari i njërës prej vajzave dhe shoferi i autobusit.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Studentet në Austri, në komaDy studentet e plagosura nga aksidenti i Himarës, të cilat po trajtohen në Austri, vijojnë të jenë në gjendje kome. Dy tentativat e fundjavës për ti zgjuar kanë dështuar. Ditën e shtunë, mjekët kishin vendosur që të bënin një tentativë për zgjimin e Florie Peçit, por ajo nuk u realizua. Ndërsa më herët ka dështuar dhe ajo e Eriselda Guberes. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët janë në kontakt të përhershëm me spitalet e Austrisë, vajzat vazhdojnë të mbahen në jetë falë aparaturave. Ndërkaq, mëngjesin e së hënës pritet të merret vendimi dhe për 10 vajzat e tjera, që janë të shtruara në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tyre është mjaft e mirë dhe pjesa më e madhe e tyre pritet të dalin nga spitali. Të hënën besojmë se pjesa më e madhe e tyre do të largohen për në shtëpi. Tashmë e kanë kaluar rrezikun jetën, thanë mjekët.