Aksidentohet nipi dhe babai i Klodian Saliut, dyshime për ngjarjen
Abedin dhe Enkelejd Saliu kanë mbetur të plagosur në një aksident të ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit
DURRËS - Një i vdekur dhe pesë të plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti, ku protagonistë ishin familjarë të Klodian Saliut, i njohur si një nga të fortët e Durrësit dhe kundërshtar i Lulëzim Berishës. Viktima ishte Jurgen Zani, 19 vjeç, shok i Enkelejd Saliut, nipit të Klodianit.
Në automjetin me të cilin ata po udhëtonin, automjet tip "Benz" ndodheshin Enkelejd Saliu, 16 vjeç (djali i Shkëlqim Saliut i vrarë dy vjet më parë), i cili po drejtonte edhe automjetin, si dhe babai i Klodianit, 76-vjeçari Abedin Saliu. Nisur nga thëniet e personit mjekësor që çoi të plagosurit në spital me autoambulancë, të plagosurit kanë pohuar se në kohën që po lëviznin janë ndjekur këmba-këmbës nga një "Benz" i zi çka ka çuar edhe në ecjen me një shpejtësi tepër të madhe nga ana e drejtuesit-adoleshent.
Një gjë e tillë ka bërë që ai të humbasë kontrollin e mjetit dhe të përplaset me trafikndarësen e rrugës automobilistike. Shpejtësia shumë e madhe e "Benz"-it me targa TR 4729 M e ka spostuar trafikndarësen dhe ka dalë në krahun e kundërt të rrugës duke u përplasur me një mjet të rastit, tip "Benz" me targa të huaja. Në këtë mjet udhëtonte një familje nga Kavaja, teksa të tre personat që ndodheshin në të: Nafije Veizi, 56 vjeçe, Rexhep Veizi, 33 vjeç, dhe një 3-vjeçar janë plagosur.
Ngjarja ka ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit. Të gjithë personat janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Bëhet e ditur se i ati i Klodian Saliut është futur menjëherë në sallën e operacionit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Po në gjendje të rëndë u raportua të ishte edhe drejtuesi 16-vjeçar i automjetit, Enkelejd Saliu. Ndërsa 19-vjeçari Jurgen Zani, banor i lagjes nr.6 të qytetit të Durrësit dhe shok me adoleshentin ka mbetur i vdekur në vend nga përplasja me trafikndarësen dhe mjetin tjetër.
Të pyetur personeli mjekësor është shprehur se në kohën që janë marrë nga vendngjarja të plagosurit janë shprehur se në kohën që udhëtonin janë ndjekur nga një automjet tip "Benz" me ngjyrë të zezë. Mjekëve u janë thënë fjalët "Desh na vranë", teksa pritet dalja e të plagosurve nga gjendja e rëndë për marrjen e tyre në pyetje dhe zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Ndërkohë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizej.
Klodian Saliu rezulton si krijues i Bandës së Durrësit së bashku me Lulëzim Berishën. Ndarja e tyre u bë në vitin 2003 për shkak të konflikteve, ndërsa Saliu ndërroi jetë në një pritë të ngritur po në rrugën Tiranë-Durrës në vitin 2005. Në vitin 2007 u ekzekutua vëllai i tij Shkëlqim Saliu.