Kuvendi s'ka votat. Shtyhen projektligjet
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë vazhdon që të shtyjë projektligje të rëndësishme për seancat e ardhshme, pa asnjë justifikim juridik. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje se, disa projektligje do të shtyhen për javën e ardhshme, për shkak të vizitës së zëvendëskryeministrit kinez Zhang Dejiang në Shqipëri. Por, përkundrejt këtij justifikimi pa lidhje, shkaku i shtyrjes së këtyre projektligjeve, është mosmiratimi në kohën e duhur në komisionet përkatëse.
Nga 16 projektligje që ishin parashikuar për miratim në seancën e djeshme, Kuvendi ka mundur që të miratojë vetëm disa prej tyre. Edhe pse shtyrja e disa drafteve u justifikua me vizitën e zëvendëskryeministrit kinez, e vërteta qëndron krejt ndryshe.
Projektligji "Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale", është një prej drafteve të pamiratuara dje, dhe kjo jo për shkak të vizitës së funksionarit të lartë kinez, por për arsyen e thjeshtë se drafti në fjalë nuk është miratuar ende nga Komisioni i Ligjeve, si rezultat edhe i mosarritjes së kuorumit nga ky komision. Pjesë e shtyrjes ishte edhe projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9284, datë 30.09.2004.
Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar"; projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9072. datë 22.05.2003 "Për sektorin e Energjisë Elektrike", të ndryshuar si dhe projektligji "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin".
Draftet në fjalë, nuk janë miratuar ende nga komisionet përgjegjëse, si rezultat i mungesave të vazhdueshme edhe nga anëtarët e djathtë në këto komisione.