Basha: Policia dhe komuniteti, bashkëpunim për një shoqëri më të sigurt
Bashkëpunimi i policisë me komunitetin sjell më shumë siguri në shoqëri dhe ndikon në krijimin e një shoqërie demokratike dhe të sigurt. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u shpreh se policia në vend dhe shoqëria janë afruar dhe kjo ka ndikuar në goditjen e krimit. “Si rrjedhojë e zbatimit të filozofisë së policimit në komunitet, besimi i komunitetit ka ardhur në rritje dhe kjo demonstrohet nga numri gjithmonë e më i madh i telefonatave të publikut”, - u shpreh ministri i Brendshëm. Në promovimin e tre botimeve të OSBE-së për çështje të policimit, Basha garantoi se do të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për të influencuar në rritjen e bashkëpunimit të policisë me komunitetin, si dhe me përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e pushtetit vendor.
Gjatë deklaratës së tij, ministri i Brendshëm theksoi se rruga e reformimit të vazhdueshëm të policisë për rritjen e standardeve të saj, kërkon ndryshime që synojnë të jenë sa më cilësore. “Nuk mund të anashkalojmë faktin që policia arriti të përballojë me sukses shkurtimin e personelit të saj dhe të rrisë standardet e policimit në komunitet, si dhe rezultatet në luftën kundër krimit. Ndaj ju them që të mos trembemi nga ndryshimet, por të punojmë me vendosmëri që të përshtatemi dhe të përfitojmë sa më shumë prej tyre”, - u shpreh Basha. Ndërkohë që Basha kërkoi nga uniformat blu që të kenë kujdes për ndjekjen e procedurave dhe kryerjen e veprimeve kur kemi të bëjmë me të miturit. “Praktikat diskriminuese dhe keqtrajtuese në këtë drejtim duhet të jenë pjesë e së shkuarës”, - u shpreh ai. Në këtë aktivitet, ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Ai përmendi faktin se sipas strategjisë shtatëvjeçare të Policisë së Shtetit Shqiptar, qëllimi afatgjatë strategjik është krijimi i një ambienti të sigurt për publikun shqiptar dhe theksoi se kjo është ngushtësisht e lidhur me zbatimin e filozofisë së policimit në komunitet. Botimet e promovuara ditën e djeshme, Bosch i quajti “mjete të dobishme në përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të forcuar edhe më tej atmosferën e besimit dhe mirëkuptimit mes policisë dhe publikut të gjerë”. Në promovimin e tre botimeve të OSBE-së për çështje të policimit ishin të pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare. Ministri Lulzim Basha në lidhje me këto publikime u shpreh se këto botime nuk janë thjesht literaturë për t’u lexuar, por praktika që sigurojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe e sjellin policinë më afër qytetarëve.