Shkarkohen kundërshtarët e krerëve të Komunitetit Mysliman
Nënkryetari Rusheku dhe gjashtë anëtarë të këshillit të Përgjithshëm u zëvendësuan pa asnjë motiv. Mandati u mbaronte në 2011-n
Shkarkohen gjashtë anëtarë të këshillit të përgjithshëm të KMSH-së, si dhe largohet nënkryetari Saimir Rusheku. Furtuna brenda komunitetit mysliman ka përfshirë pikërisht ata persona që janë konsideruar si një kërcënim për "elitën drejtuese".
Shkarkimet sipas Rushekut janë realizuar në kundërshtim me statutin e Komitetit Mysliman të Shqipërisë e në fund ka pasur dhe një miratim të ndryshimeve statutore ku justifikohej pikërisht mënyra se si u realizua shkarkimi i nënkryetarit.
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, nuk munguan as forcat e policisë. Vetë Rusheku ka ngritur akuza për drejtuesit e KMSH-së duke i parë shkarkimet si të qëllimshme, për t'i dhënë udhë abuzimeve brenda këtij institucioni të kryera nga krerët Selim Muça dhe Ilir Vokshi.
Procesi i shkarkimit të 6 anëtarëve është bërë në kundërshtim me statutin, i cili përcakton që shkarkimi të bëhet vetëm me votim të fshehtë. Por në këtë rast është bërë me votim të hapur. Një gjë e tillë është pretenduar nga nënkryetari Saimir Rusheku, tashmë i shkarkuar edhe ai vetë.
Në fillim janë shkarkuar dy anëtarë të këshillit të përgjithshëm të Tiranës, Ilir Hoxholli dhe Haxhi Mesiti. Shkarkimi i anëtarëve është bërë me votim të hapur, teksa ata janë zëvendësuar menjëherë.
Hoxholli dhe Mesiti e kanë konsideruar këtë mënyrë shkarkimi antistatutore dhe të pamoralshme për faktin se ata janë zgjedhur nga baza e myslimanëve dhe askush nuk ka të drejtë t'u ndërpresë mandatin, dhe aq më tepër t'i zëvendësojë. Por zëvendësimi ka vazhduar. Ramazan Duka, anëtar i myftinisë së Lezhës, ka qenë i shkarkuari tjetër.
Ai këtë veprim e ka cilësuar si një shkelje të radhës nga ana e myftiut të lezhës, i cili është kryetar i komisionit të mandateve të këshillit të përgjithshëm. Duka tha se nuk është bërë asnjë mbledhje nga ana e myftiut të Lezhës për shkarkimin e tij dhe as nuk është njoftuar për këtë shkarkim dy javë përpara, siç e parashikon statuti.
Gjithashtu është shkarkuar Arben Suxhuku, jurist që përfaqëson myftininë e Bilishtit. Ai e ka konsideruar mënyrën e shkarkimit si një farsë duke ngritur akuza se ky shkarkim ësstë i paramenduar një ditë më parë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm Betim Truçi.
Ai tha se asnjë anëtari të këshillit të përgjithshëm nuk mund t'i ndërpritet mandati me zëvendësim. Sipas statutit të KMSH-së, mandati mund të ndërpritet vetëm në rastet që anëtari jep dorëheqjen, i mbaron mandati dhe konsumon një vepër penale ose morale.
Anëtarë të tjerë të shkarkuar janë Pëllumb Salko, nga myftinia e Shkodrës dhe Xhavit Dyrmishi, i myftinisë së Gramshit. Të dy këta persona nuk ishin të pranishëm. Për shkarkimin e tyre nuk është dhënë asnjë motiv, ndërsa mësohet se ata janë parë shpesh si opozitarë ndaj elitës drejtuese.
Gjatë mbledhjes, nënkryetari i KMSH-së, Saimir Rusheku, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të këshillit të përgjithshëm të KMSH-së, Ilir Vokshit, për mungesë integriteti dhe shkelje flagrante të parimeve statutore në lidhej me mënyrën e shkarkimit të gjashtë anëtarëve të këshillit të përgjithshëm (i cili ka gjithsej 85 anëtarë).
Rusheku ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Ilir Vokshit (i cili është kryetar i këshillit të përgjithshëm të KMSH-së, myfti i Tiranës dhe i Durrësit), në lidhje me një kontratë shitjeje në qytetin e Durrësit me një sipërfaqe prej 2764 metra katrorë që i përket myftinisë së qytetit bregdetar.
Këtë denoncim ai e ka bërë në mbledhjen e kryesisë të datës 24 qershor 2009 ku kjo çështje s'është trajtuar në rendin e ditës. Kjo gjë nga ana e Rushekut është konsideruar si një akt korruptiv dhe si një veprim që bie ndesh me parimet islame dhe mostjetërsimin e pronave të KMSH-së.
Mbledhja e këshillit të përgjithshëm të KMSH-së u bë me dyer të mbyllura dhe me praninë e forcave policore. Mësohet se mandati i 6 anëtarëve të këshillit të përgjithshëm të KMSH-së të shkarkuar përfundonte në vitin 2011. Kërkesa e Rushekut që procesi i votimit të bëhej konform nenin 23/2 të statutit të KMSH-së, me votim të fshehtë, nuk është marrë parasysh nga këshilli i përgjithshëm dhe është votuar në mënyrë parimore. Si pasojë Rusheku është larguar.
Pas përfundimit të procesit të votimit janë kaluar me procedurë të përshpejtuar edhe ndryshimet statutore në të cilën është përcaktuar edhe mënyra e emërimit dhe shkarkimit të nënkryetarit, ku me statutin e ri votimi do të bëhet i hapur. Sipas Rushekut kjo ishte mënyra për të legjitimuar largimin e padrejtë të tij.