E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton gjyshin me të nipin, ikën i dyshuari

Autori i Lajmit: red.
Dy aksidente ndodhën në Durrës ku u përfshinë disa persona, me pasojë plagosjen e tre prej tyre. Në segmentin rrugor Xhafzotaj-Durrës e pikërisht në afërsi të karburant “Taçi Oil”, në kohën kur drejtonte automjetin e tij tip “Benz” me targa të huaja BD 181 ËA, 28-vjeçari emigrant, Ferdinand Gjepali nga Gjepalaj e Durrësit, është përplasur me një karrocë me kuaj e cila vinte përballë tij. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i karrocës 72-vjeçari I.H., banues në Xhafzotaj Durrës dhe nipi i tij, I.H., 7- vjeçar. Për shkak të plagëve që morën, i moshuari dhe fëmija u dërguan në Spitalin e Durrësit dhe jeta e tyre, pas ndërhyrjes mjekësore, nuk është në rrezik. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit fillimisht është larguar nga vendi i aksidentit. Kurse pak orë më pas, i riu Gjepali është dorëzuar në Komisariatin e Policisë Shijak. Tani ai përballet me akuzat për veprat penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largimit nga vendi i aksidentit dhe për to ai po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu edhe në vendin e quajtur Tapizë të Fushë- Krujës, në afërsi të hotel “Brama”, ka ndodhur një tjetër aksident, ku u përfshi 41-vjeçari nga Kurbini me banim në Laç, Pjerin Gila. Aksidenti ndodhi në kohën kur Gila drejtonte furgonin e pasagjerëve tip “Benz” me targa LA 7270 A dhe ai ka përplasur 36-vjeçaren B.D., banuese në fshatin Tapizë të Krujës. E plagosura u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku aktualisht gjendet jashtë rreziku për jetën. Në lidhje me ngjarjen, policia arrestoi në flagrancë të dyshuarin Gila, nën akuzën për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›