E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton këmbësoren, kanos me thikë agjentin e Policisë

Adnant Bishani plagos me mjetin e tij 44-vjeçaren dhe ikën nga vendngjarja. Kërcënon policin me thikë, por më në fund arrestohet nga forcat e Rendit
KUÇOVË – Nuk është mjaftuar me faktin se ka plagosur me mjetin e tij në gjendje të dehur një këmbësor, por ka kanosur me thikë edhe policin e Qarkullimit. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të dy ditëve më parë në lagjen “1 Maji” të qytetit të Kuçovës, ku shtetasi Adnant Bishani, lindur në vitin 1967 dhe banues në qytetin e Beratit, ka përplasur me automjetin e tij tip “Renault” me targë BR 9861 një 44-vjeçare. Burimet zyrtare në qytezën e Kuçovës bëjnë të ditur se Bishani, teksa drejtonte mjetin e tij në gjendje të dehur, ka lënduar shtetasen V. K., 44 vjeçe, banuese në lagjen “Llukan Prifti” të qytetit të Kuçovës. E plagosura është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit dhe pas ndihmës së parë nga personeli mjekësor tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Bishani, pas kryerjes së aksidentit është larguar nga vendngjarja. Sipas të dhënave policore, ai është fshehur në banesën e shtetasit Hysni Gjata. Por vendndodhja e tij është identifikuar nga një punonjës i Qarkullimit Rrugor, i cili e ka ndjekur nga pas për ta ndaluar. Kur efektivi i policisë i ka kërkuar Bishanit që të dalë jashtë banesës, ai, me një thikë në dorë ka kanosur që nga dritarja punonjësin e Qarkullimit, i cili menjëherë ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur të bëjë neutralizimin e tij dhe t’i vërë prangat 41-vjeçarit Adnant Bishani. Pas shoqërimit në mjediset e komisariatit të policisë, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë plotësuar dosjen hetimore në ngarkim të Bishanit dhe më pas e kanë dorëzuar atë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Beratit. Nga të dhënat paraprake dyshohet se i dehuri nuk ka qenë në gjendje që të kontrollojë mjetin, pasi kishte konsumuar alkool tej normave të lejuara dhe për pasojë ka goditur bashkëqytetaren e tij, duke i shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Sikur të mos mjaftonte shkelja e rëndë, ai ka tentuar që të zhduket, por më në fund ai është prangosur dhe do të përgjigjet për disa vepra penale që rëndojnë ndaj tij. Konkretisht, Adnant Bishani akuzohet për “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “drejtim i mjetit në gjendje të dehur” dhe “kanosje për shkak të detyrës” të parashikuara përkatësisht nga nenet: 290, 291 dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›