Çaji me enë porcelani largon reumatizmën
Vitaminat A dhe C shmangin problemet reumatizmale. Këshillat që duhet të ndiqni për ta larguar këtë sëmundje
Të gjithë pacientët që vuajnë nga reumatizma nuk duhet ta pinë asnjëherë çajin në një enë metali, por vetëm në enë plastike ose prej druri. Madje, mjekët rekomandojnë që edhe vetë çaji të mos zihet në një enë metali, por qelqi apo porcelani. Në këtë rast, sapo të keni pirë as gjysmën e gotës, dhembjet kanë tendencë për të pushuar. Kompresa në vendin e dhembjeve është në të shumtën e rasteve qetësuesi numër një që ndalon dhembjen. Por për reumatizëm afatgjatë, mjekët rekomandojnë pirjen e produkteve bimore si dhe kompresat në vendet më të theksuara me reumatizëm. Gjithashtu, dy vitamina janë shumë të rëndësishme për trupin e njeriut dhe ndihmojnë shumë në shmangien e problemeve reumatizmale, ato janë Vitamina C dhe A.
Sëmundja
Reumatizma, e cilësuar ndryshe edhe si sëmundja e moshës së tretë, ka lidhje të ngushtë me vendbanimin e personave të prekur. Sipas specialistëve, kjo sëmundje në vendin tonë është shumë e përhapur për shkak të klimës dhe kushteve të punës dhe banimit. Kurat më të mira, sipas mjekëve specialistë, janë barishtet. Në farmacitë bimore ekzistojnë bimë të Perëndimit që janë të shumta përsa i përket llojeve. Përzierja e bimëve, që tregtohet, është tretur në alkool bimësh 39 gradë dhe quhet Schenden Bitter dhe bashkë me të edhe një lloj kremi i quajtur Calendula Saslbe dhe është e përbërë nga yndyra dhe lulja e quajtur Calendula officinalis, që ndryshe në gjuhën e popullit quhet lule duhani, sepse i ka gjethet të ngjashme me të.
Shkaqet
Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale janë të përgjithshme dhe lokale, - shpjegojnë reumatologët. Ata pohojnë se shkaqet lokale, pra të pjesëve të ndryshme të trupit, janë të shpeshta gjatë artrozës. Sipas tyre, sa herë që sforcohet një nyjë, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, sidomos ato me natyrë sportive dhe profesionale nga mikrotraumat. Kjo mundësi shtohet në rast se kemi të bëjmë me një anomali anatomike të fituar apo të lindur, e cila ndikon fuqishëm mbi artrozë. Ndërsa ndër shkaqet e përgjithshme specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Ndërkohë, faktori gjenetik, pra trashëgimia, sipas mjekëve, ndikon sidomos në formën e artrozës së gishtave të këmbëve dhe të duarve, ku viktimë e kësaj, sipas tij, janë sidomos femrat. Po ashtu, klima e ftohë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare, e cila prek duart dhe viktimë janë sidomos gratë pas të 50-ve, kur kjo kombinohet me perimenofazën, por te gratë edhe mbipesha është faktor negativ për sëmundjet reumatizmale.
Këshillat
Kremrat që janë të përbërë me këto lloj bimësh kanë një përdorim shumë të lehtë, me to lyen lëkurën në pjesën ku ke dhembje para se të vësh kompresën e lagur me Scheden Bitter. Për kompresë merret një garzë në madhësi të vendit ku e ke dhembjen dhe e lag me këtë lloj tretjeje bimësh, më pas e vendos në vendin e dëshiruar dhe e mbështjell me qese najloni dhe e shtrin mirë në mënyrë që të mos depërtojë ajri e as të lagen apo ndoten rrobat, por për më tepër kjo mënyrë përdoret për të mbajtur nxehtësinë, sepse po depërtoi i ftohti atëherë kompresa duhet të hiqet se në vend të kurojë, ajo shkakton dëme. Për të ruajtur ngrohtësinë dhe për të mos lëvizur kompresa, duhet ta mbështjellësh garzën me qese najloni edhe me një copë të leshtë apo të pambuktë dy apo trefish dhe ta lidhësh me ndonjë shami apo diçka elastike që të mos lëvizë kompresa.
Plazhi, aleati i reumatikëve
Rëra, në veçanti rëra e pastër, është tepër efikase për kurimin e reumatizmës. Këshilla numër një e specialistëve është që të gjithë personat që kanë probleme me këtë sëmundje duhet të shfrytëzojnë në maksimum rërën gjatë orëve të mëngjesit dhe të pasdites, pasi në drekë temperatura është shumë e lartë dhe është e pamundur që trupi ta durojë atë. Ndërkohë, pas një studimi të kryer me 200 atletë për dy vjet, studiuesit kanë dalë në një rezultat: sporti i bën mirë kockave. Disa ushtrime të kombinuara kanë treguar se sporti i bën mirë forcimit dhe kalcifikimit të kockave. Vihet re që njerëzit që nuk merren me sport kanë një shkallë të lartë plogështie. Këta persona shpesh vuajnë nga sëmundje të kategorisë reumatizmale, duke sjellë probleme të dukshme për shëndetin.
Analgjetikët, ilaçet që kurojnë sëmundjen
Analgjetikët janë ilaçe që lehtësojnë dhembjen pa e ulur inflamacionin. Ato janë shumë efektive në uljen e dhembjeve të lehta dhe jo shumë të forta, të ngjashme me atë të dhembjes së kokës ose të dhëmbit. Ato nuk kanë efekte anësore si ilaçet e tjera. Analgjetikët japin efekt shpejt zakonisht brenda një ore. Çlirimi nga dhembja zgjat zakonisht nga 4 deri në 8 orë. Këto ilaçe funksionojnë duke penguar dërgimin e sinjaleve të dhembjes në tru ose duke penguar vetë trurin që të marrë sinjale. Acetaminopheni është përbërësi aktiv që ndodhet tek analgjetikët më të përdorur, përfshi ato që nuk kanë aspirinë në përbërjen e tyre si: Anacin, Execedrin dhe Tylenol.
Sporti
Specialistët këshillojnë që duke u marrë me sport të paktën dy herë në javë i bëjmë mirë kockave jo vetëm duke i forcuar ato, por edhe duke ndihmuar procesin e kalcifikimit, mjaft i domosdoshëm për njeriun. Madje, kjo është një ndër mënyrat kryesore për të mbajtur sa më larg vetes reumatizmën. Jo pak, por tridhjetë ditë në vit, mjekët rekomandojnë plazh për të gjithë personat që kanë probleme me reumatizmin. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që ato të shtrihen në rërën e plazhit në mëngjes dhe në darkë. Ndërkohë, përdorimi i bimëve jeshile është shumë i këshillueshëm. Ato duhet të zihen për rreth 20 minuta dhe më pas pihen për të lehtësuar dhembjet reumatizmale. Çaji duhet të zihet në një enë porcelani dhe jo metalike.
Këshilla për reumatizmën
Bëni dy herë në javë ushtrime gjimnastikore
Merrni herë pas here (një herë në dy ose tre muaj) tableta multivitaminë
Jetoni në ambiente që nuk janë të ftohta
Bëni plazh çdo vit dhe e rëndësishme është që të shtriheni në rërën e mëngjesit dhe të pasdites
Pini sa më shumë çaje me bimë jeshile
Përdorni ujë mineral
Hani sa më shumë fruta me Vitaminë C dhe A
Sa herë që ndiheni të lodhur, përdorni paracetamol ose medikamente të tjera me përmbajtje paracetamoli
Përgatiti: JONIDA TASHI
Të rejat nga shkenca
Telepatia, shqisa e gjashtë
Habia nuk është ndjenja e vetme që ka njeriu kur para tij qëndron personi që ka aftësi mbinatyrore, edhe pse nga kjo mund të fillojmë kërkimin e shqisës së gjashtë. Sa më shumë zbulime që bëhen për trurin e njeriut, po aq pyetje lindin për këtë materie. Është zbuluar se Truri i njeriut është shumë më i madh në krahasim me mesataren e jetës që ai e jeton, nga 60-80 vite. Nga kapaciteti i madh i trurit, ne, në tërë ato 60-80 vite, nuk përdorim më shumë se 10 për qind. Shumë pjesë të trurit mbesin të paprekura, të pashpenzuara dhe për to nuk dimë asgjë. Truri ka aftësi të prodhojë më shumë se 1000 simbole në minutë dhe nga e gjithë kjo ne kemi aftësi vetëm të lexojmë, të shkruajmë dhe të themi disa fjalë brenda një minute. Në krahasim me kapacitetin tonë mendor, gjuha që përdorim është shumë e thjeshtë. Me kalimin e viteve, ekspertët e parapsikologjisë, lidhur me kapacitetin e trurit, kanë arritur në përfundime dramatike: njeriu nuk është i destinuar dhe as që ka qenë të jetojë 60-80 vite. Destinacioni i tij primar është 800-1000 vite, që është logjike nëse merret parasysh kapaciteti i trurit. Ne tani shfrytëzojmë aq pak aftësi të trurit, për arsye se vdesim ende pa u pjekur, pa pasur ende mundësi të shfrytëzojmë më shumë nga tërë ajo që na ofron truri. Gjuha nuk është mënyra origjinale e komunikimit mes njerëzve, së paku nuk ka qenë. Ka dallim të madh mes gjuhës që ne përdorim dhe aftësisë së trurit. Në realitet, gjuha dhe fuqitë e saj artificiale ngadalësojnë punën dhe zhvillimin e aftësive mendore. Komunikimi gjuhësor (të folurit, leximi, shkrimi) është arritje e vonshme e historisë së njerëzimit.
Komunikimi me mendime dhe telepati
Nga këto konkluzione, ekspertët formulojnë edhe teorinë e parë për shqisën e gjashtë dhe zhdukjen e saj. Të parët tanë ishin qenie extra-inteligjente, qenie që kanë jetuar deri 1000 vite. Kanë komunikuar me telepati. Kanë pasur teknikë dhe dije shkencore që janë larg nga civilizimi i sotëm. Më pas, planeti Tokë është goditur nga forca termo-nukleare nga gjithësia. Nga kjo, Toka është rrotulluar rreth boshtit të saj dhe ka rënë në sistemin diellor, me këtë rast janë bërë shumë ndryshime në Tokë. Civilizimi është shkatërruar, kurse banorët e Tokës kanë vdekur nga vërshimet dhe rrezet termonukleare. Shumë pak nga ata kanë mbijetuar. Këto zbulime të ekspertëve, të dëshmuara me studime dhe punë shumëvjeçare, na bëjnë të kuptojmë se tek secili prej nesh ekziston shqisa e gjashtë, vetëm duhet ditur mënyra e zgjimit të kësaj aftësie.
21 Mars 2008