E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nekropolitika ose shteti pa ligje

Nga Dr Zamira Çavo

Gërdeci tronditi botën. Brenda dhjetë minutash e gjithë bota përjetoi tronditjen e tij. Por “shqiptarët – shprehej një agjenci e huaj lajmesh, janë “ të fortë” dhe me siguri do ta përballojnë këtë mediahieroshimë”.
Sigurisht që shqiptarët janë” të fortë”, sepse kanë fituar imunitet nga tragjeditë që nuk kanë reshtur së pushuari për gjatë gjithë periudhës “demokratike”. Më shumë se sa politikë, në këta 18 vjet, politika e meriton te quhet nekropolitikë! Dhe Gërdeci është padyshim një ndër pasojat e saj. Nuk kam ndërmend të sjell në vëmendjen e lexuesit një kronologji “gjëmash” që kanë mbuluar në zi Shqipërinë, sepse çdo shqiptar duhet ti ruaj në kujtesën e vet, por dua të tërheq vëmendjen e popullit tim drejtë një të vërtete të madhe: Shteti ynë është një shtet ku vetëm Ligji nuk gjen zbatim! Dhe përderisa është kështu kam frikë se Gërdeci është vetëm tragjedia e radhës!
Politika shqiptare nuk njeh asnjë rregull dhe padyshim që shteti shqiptar dhe pse ka ngritur një sistem ligjor bashkëkohor, është ende pa ligje, sepse politika nuk do t’ia dijë për to.
Nekropolitika shqiptare është e tillë që në Parlamentin shqiptar. Është e tillë që kur pronarin e quan ish pronar dhe zaptuesin e quan të ligjshëm. Pasojat në këtë rast shihen dhe ndihen çdo ditë me vrasje e vëllavrasje për shkak të pronësisë. Është e tillë që kur “fal” ata që nuk kanë paguar me vite energjinë elektrike dhe “dënon” me ngritje çmimi të rregulltit. Pasojat? Humbje të jashtëzakonshme në KESH dhe Shqipëria në ankth për dritë! Është e tillë kur nxjerr ligj për moslejimin e skafeve dhe çon drejt vdekjes njerëzit, peshkatarë, hallexhinj apo dhe njerëz të tjerë, por nuk “kap” dot skafet e vdekjes. Është e tillë, që kur shitblen deputetë, dhe pasojat? Grushte rrahje, dhunë e pafund.
Nekropolitika është politika që realizohet nga politikanët shqiptarë, sepse korrupsioni, babëzia për para, ka bërë që të shkelet çdo ligj, sepse mekanizmat me të cilat drejtohet shteti janë nën këmbët e kësaj nekropolitike. Çdo gjëmë në Shqipëri ka shërbyer vetëm për të nxjerrë përfitime klasa politike, asnjëherë nuk janë nxjerrë para drejtësisë shkaktarët e saj., sepse nekropolitika ushqehet me kocka, mish e gjak të njerëzve që akoma nuk po kuptojnë se ç’duhet të bëjnë. Dhe nuk behët fjalë vetëm për Berishën. Ai mbetet kryefjala e krimit sepse nuk ka ditur asnjëherë të drejtojë shtetin, dhe pse Berisha 2 është më i babëzitur se Berisha 1. Por kur ndodhin tragjeditë fytyrat e politikanëve tanë ndahen në dy kampe; disa që lotojnë jo sepse ju vjen keq për çfarë ndodhi, por sepse kuptojnë se të tjerë do të marrin “pjesën e lënë”, ndërsa kampi tjetër ,loton më një gëzim të përmbajtur, sepse ka mundësinë që të marrë atë çka mundet të ketë mbetur! Askush nuk ndjehet i kërcënuar, sepse askush nuk i trembet përgjegjësisë PENALE! Shteti nuk funksionon kështu!Ligji nuk funksionon. Dhe një shtet pa ligje, pjellë pashmangësisht tragjedi!
Ka ardhur koha që populli të njihet me të vërtetat e nekropolitikës! Sa kohë që në administratën shtetërore nuk gjen punonjës që ti binden ligjit por “shefit” asnjëherë Shqipëria nuk do të gjejë paqe. Do të doja shumë që Zonja kryeprokurore të ishte vërtetë e tillë, të paktën në këtë ngjarje. Por dyshoj, dyshoj sepse deklarata e saj me prokurorët, kur mori detyrën ishte pak a shumë e tillë; ju keni kontratë më mua, ndërsa unë më shtetin. Pra me fjalë të tjera, unë ju “jap bukën e përditshme”, ndërsa ju do bëni si t’ju them unë ,e unë do bëj si të më thotë…. Nekropolitika! Në cilin vend të Botës së qytetëruar prokurorët janë argat të kryeprokurorit dhe jo të ligjit?
Dhe më së fundmi po vij te qytetarët. Kam ndjekur me vëmendje të gjitha deklaratat e tyre, pavarësisht se dikush vazhdon dhe pas 20 vjetësh t’ia hedhë fajin Enverit, pavarësisht se dikush tjetër kërkon që as Meta e as Gjinushi të mos vijnë më në pushtet, pavarësisht se dikush nuk do që Berisha të japë dorëheqjen, të gjithë konvergojnë vetëm në një pikë: politika duhet të ndryshojë! Me instiktin e tyre njerëzit po kuptojnë se këtu nuk është problem individi, dhe pse individi luan rol të madh. Këtu është domosdoshmërisht një ndryshim rrënjësor. Ndryshe nekropolitika do të vazhdojë të marrë jetë njerëzish ndërsa ne do të vazhdojmë të bërtasim për të dëgjuar… vetë!

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›