E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bllokimi shkakton një humbje prej 8 milionë eurosh në ditë"

Bledar Myftari, drejtori i KPTHN-së Ballsh dhe UPN-së Fier, ka akuzuar ministrin e Financave për sulm ndaj biznesit privat. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Myftari tha se kompania ARMO është privatizuar me një mungesë të theksuar dokumentacioni. "Kompania u ble pa dokumentacionin e nevojshëm, duke shpresuar dhe duke pasur besim te shteti që ky dokumentacion do të plotësohej më pas. Deri më sot, ne kemi pasur probleme të vazhdueshme, sepse ARMO nuk ka të gjitha certifikatat të plotësuara. Ne kemi plotësuar dokumentacionin e kërkuar prej disa muajsh dhe shteti nuk ka denjuar ende që ta japë atë, sepse si duket nuk duan", thotë drejtori Myftari. Ai thotë se për shkak të pezullimit të aktivitetit do të mbeten pa punë rreth 1500 punonjës, ndërkohë që për kompaninë humbja llogaritet në rreth 8 milionë euro në ditë.
Drejtori i Kombinatit të Ballshit dhe Uzinës së Fierit tregon më tej se Ministria e Financave ka bërë vazhdimisht presion ndaj kompanisë ARMO dhe se bllokimi është në vazhdën e këtyre presioneve. "Ne kemi shtatë muaj që jemi nën presion të vazhdueshëm nga ministri i Financave. Ai ka urdhëruar me dhjetëra kontrolle, nga të cilat kemi dalë të pastër", thotë Myftari.
Sipas tij, kompania do të padisë penalisht Ministrinë e Financave për dëmin e shkaktuar nga bllokimi i padrejtë i aktivitetit. "Është normale që ne do të ndjekim çështjen penalisht, sepse është shkaktuar dëm dhe ata që shkaktojnë këtë dëm duhet të përballen me drejtësinë, duke marrë përgjegjësi ligjore, penale", u shpreh drejtori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›