E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton të moshuarën, arratiset nga vendngjarja

Aksidentet rrugore kanë sjellë sërish dy të plagosur, ndërkohë që policia ka arrestuar njërin prej autorëve dhe ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë tjetrin. Rasti i parë ka të bëjë me një aksident, ku autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos i ofruar ndihmën e shpejtë të dëmtuarës dhe policia ka mundur kështu ta kapë vetëm pak kohë më vonë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore u arrestua Viktor Dimo, 22 vjeç, ndërkohë që u bllokua edhe mjeti i tij me targë TR 2480 J. Sipas të dhënave hetimore, ky person dyshohet se ka përplasur me mjetin e tij 70-vjeçaren Xhemile Kamberaj dhe më pas është larguar nga vendngjarja, por nuk i ka shpëtuar syrit të kalimtarëve, që kanë marrë targën e mjetit dhe e kanë raportuar në polici. Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Tiranës bëri të ditur se filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin Dritan Vasil Bogdani, 22 vjeç, banues në rrugën "Aleksandër Moisiu". Uniformat blu shpjeguan se ky person u dërgua për ndjekje penale, sepse rreth orës 09.20 të paradites së të shtunës, në rrugën Tufinë-Tiranë, te varrezat, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targa TR 2847 R, ka aksidentuar këmbësoren Hygerta Shpëtim Lala, 18 vjeçe, banuese në Tiranë. E dëmtuara është ndihmuar nga vetë drejtuesi i mjetit, i cili e ka dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kohët e fundit duket se aksidentet rrugore në Tiranë kanë ardhur në rritje, kjo edhe për shkak të fluksit të lartë të mjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›