E Diel, 1 Nëntor 2026

"Një ligj që grabit të ardhurat e policëve"

Mbi tryezën e punës së Presidentit të Republikës, mes disa ligjeve dhe dhjetëra shkresash rutinë që presin firmën fundore që do të hedhë ai, është në radhë edhe ligji "Për sigurimin shoqëror suplementar". Ato 300-400 metra nga Kuvendi për te zyra e zotit Bamir Topi duket se ky ligj i ka bërë vetëm për 4-5 minuta, aq sa iu deshën Komisionit të Ekonomisë për ta kaluar në unanimitet. Po aq minuta harxhuan nga koha e tyre e shtrenjtë dy ditë më pas edhe deputetët më 15 maj në Parlament, për ta votuar. Por duket se Presidenti Topi s‘ka ndërmend të nxitohet shumë. Dhe mosngutja në këtë rast është normale, institucionale, morale, madje edhe humane. Bëhet fjalë për grabitjen e një pjese të mirë të të ardhurave të mijëra punonjësve të policisë, në lirim apo detyrë. Vetëm pak ditë më parë Sindikata e Punonjësve të Policisë të cilët aktualisht janë në detyrë (por që ngelen "me gisht në gojë), nëpërmjet kreut të saj, Sadetin Balla, i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit që të mos e dekretojë ligjin. Kërkesë e argumentuar deri në detaje, pse ligji në fjalë është i jashtëligjshëm dhe madje antikushtetues. Të njëjtën gjë ka bërë edhe "Organizata e punonjësve të policisë" (është edhe prapaveprues!) nëpërmjet drejtorit të saj ekzekutiv, Besnik Bakiu. Të informuar janë edhe krerët e tre misioneve të vendeve më të fuqishme perëndimore që asistojnë, trajnojnë e sponsorizojnë policinë shqiptare me qëllim afrimin e standardeve të saj edhe për sa u përket pagesave e pensioneve me ato të vendeve nga vijnë. Të dyja palët e interesit në këtë "histori" që nuk u pyetën, pa mëdyshje e quajnë: Një ligj që grabit të ardhurat e punonjësve të policisë dhe demotivon ata"....

"Të gjithë në një thes"

Policia e Shtetit aktualisht e ka një ligj i cili kur është miratuar e dekretuar dy vjet më parë, është pranuar nga të gjitha palët dhe është bekuar njëkohësisht edhe nga ndërkombëtarët. "Ligji për policinë" ka brenda vetes të gjitha aktet nënligjore që janë ende në fuqi. Sipas tyre përcaktohen të gjitha kushtet, kriteret, si dhe masa e përfitimit nga sigurimi suplementar për punonjësit e policisë të cilëve u ndërpritet karriera ose mbushin moshën për pension të parakohshëm ose pleqërie. Deri në momentin e dekretimit të "këtij të riut", punonjësit e policisë do të vazhdojnë të paguhen në mënyrë të diferencuar, sipas gradave, vështirësive të punës, vendit të punës dhe kontributeve personale. Por nëse dekretohet ligji i ri, të gjithë do të futen "në një thes". Nuk do të ketë më vlerë grada që ke fituar në vite të tëra punë. Barazohet si ai që punon në zonat ekstreme të vendit, në jug e veri, me atë që e nis dhe mbyll karrierën në Tiranë apo qytete me standarde normale për jetën tënde dhe familjen. Skandali i kësaj kinezërie thellohet edhe më tej, sepse nuk ka asnjë lloj diferencimi mes atij që punon nëpër sektorë me risk për jetën( si Forcat Speciale të RENEAS, p.sh.) me atë punonjës policie që patrullon bulevardin "Skënderbeu" apo fillon punë e del në pension, në sektorët e prapavijës. Por më e keqja e këtij ligji nuk është vetëm barazitizmi i vlerave, karrierës dhe kontributeve brenda radhëve të punonjësve të policisë. Ky ligj në fakt është një "thes" gjigant. Bashkë me Policinë e Shtetit janë futur edhe Forcat e Armatosura (ushtria me oficerë e ushtarë), Shërbimi Informativ, Policia e Burgjeve, zjarrfikësit, Garda dhe SHKB-ja. Respekt për të gjitha këto institucione në shërbim të shtetit dhe qytetarit. Kuptim të plotë për rolin madhor që kanë, vështirësitë dhe rrezikun me të cilin përballen në kryerjen e detyrave të tyre. Por për hir të vërtetës lakuriqe s‘mund të kenë krahasim me ato risqe që ka pasur dhe ka policia. Të kuptohemi. Nuk bëhet fjalë për pagat. Ushtarakëve për shembull, tani që u futëm në NATO, le t‘u shkojë ajo edhe mbi 1 mijë euro. Këtu bëhet fjalë për të ardhura suplementare kur del në pension a lirim të parakohshëm nga shteti, të cilat jepen në bazë të vështirësive në kryerjen e detyrave dhe riskut për jetën tënde dhe atë të familjes. Mënyra e bërjes fshehurazi, pa pyetur palët që kanë interes, duke u kaluar vetëm në Komisionin e Ekonomisë dhe jo edhe në atë të Ligjeve dhe Sigurisë, nxitimi për ta votuar në seancën e fundit, e komprometon qëllimin e këtij ligji. Nuk besoj se deficitet në arkën e shtetit shqiptar mbulohen duke goditur buxhetin e familjeve të policëve shqiptarë që rrezikojnë jetën për ata që e mbushin atë arkë realisht, taksapaguesit. Kam dëgjuar shpesh nga një oficer i policisë shqiptare sa herë e takoj, një "postulat" që jua kishin mësuar përmendsh homologët në një trajnim në SHBA: Në rast se ka një situatë me terroristë, kriminelë të rrezikshëm, tërmete, zjarre apo fatkeqësi të tjera natyrore, të gjithë ata që ndodhen aty pranë e kanë për detyrë "t‘ia mbathin", ndërsa Policia e ka për mision të "vrapojë" për aty...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›