E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fëmija" që nuk rrit dot fëmijët e saj

Ka vetëm tri klasë shkollë. U detyrua të hiqte dorë nga arsimimi që mund t‘i krijonte një të ardhme ndryshe, për të mbajtur motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Familja e saj është e madhe. Janë 8 fëmijë dhe ajo është më e madhja e të gjithëve. Është kujdesur për secilin prej tyre, derisa janë ngritur në këmbë. Prindërit punonin me turne dhe pak mundësi kishin t‘u përkushtoheshin fëmijëve që shtoheshin vit pas viti. Por, tanimë që ajo vetë është nënë nuk mund ta shijojë rritjen e fëmijëve të saj.

Anila M. është 35 vjeçe. Ka tre fëmijë nga martesa e saj e dytë, dy djem dhe një vajzë. Që prej dy vjetësh, të tre kanë gjetur strehë në shtëpinë e foshnjës në Sauk të Tiranës. Ajo është detyruar të heqë dorë prej tyre, ndonëse sytë i mbushen me lot malli, pas çdo fjale që thotë për ta. Tentativat për braktisje i ka bërë që në maternitet. "Kur linda djalin e parë, ika fshehurazi dhe nuk e tregova emrin tim të vërtetë. Thashë një emër tjetër", tregon Anila. Mendimi i parë ka qenë ai për ta lënë fëmijën në spital, në pamundësi për ta mbajtur. Por më pas nuk ka mundur ta përballojë ndjenjën e fajit dhe është rikthyer për të marrë vogëlushin me emrin Roland. Pothuajse e njëjta ngjarje është përsëritur edhe gjatë lindjes së vajzës, Artemidës. Një emër i rremë, largimi fshehurazi nga spitali menjëherë pas lindjes dhe rikthimi plot pendesë vetëm pak ditë më pas.

Një gjë e tillë i ka shkaktuar jo pak probleme me ligjin Anilës, e cila nuk ka mundësi financiare që të paguajë një avokat për të hapur një proces gjyqësor, që t‘i njohë mëmësinë dy prej fëmijëve të saj. I treti ndër fëmijët që ka sjellë në jetë është Alberti. Ai nuk është më shumë se 8 muajsh tanimë, por sërish Anila nuk mund t‘i qëndrojë pranë. Vetëm Alberti ka mundur të njihet ligjërisht si fëmija i saj, pasi në lindjen e tretë ka marrë guximin të rrëfejë emrin e vërtetë, ndërsa i mituri regjistrohej.

Bashkëshorti i saj ka hequr dorë nga çdo përgjegjësi atësie. Ai ka preferuar të martohet sërish e të bëjë fëmijë të tjerë, duke i hedhur pas krahëve, si objekte të harruara, të tre foshnjat me Anila. Përballë ligjit, martesa e tyre është e pavlefshme, pasi celebrimi nuk u krye asnjëherë.

Shtatzënitë e njëpasnjëshme, me një burrë që nuk ka pranuar të bëhej baba i fëmijëve, ajo mundet vetëm t‘i pranojë si një realitet që nuk është varur asnjëherë prej saj dhe ku ajo nuk ka qenë tjetër veçse viktima e radhës së një njeriu të papërgjegjshëm. "E kush më pyeste mua doja apo nuk doja fëmijë. Por edhe kur lindën kalamajtë i ati as që pyeste për ta", thotë Anila dhe ngre duart në kokë, si për të gjetur një zgjidhje që nuk ka se nga të zbresë. "Unë nuk kam ditur as të mbrohem, kam bërë çfarë ka dashur burri", tregon ajo, duke lënë mënjanë skrupujt.

E mbushur me një ndjenjë të fortë faji, por edhe rebelimi për pamundësinë e saj për të ushqyer fëmijët, Anila nis e rrëfen se si ka "hequr dorë" nga të tre të miturit, duke i dërguar ata në befotrofin "Betani" në Sauk.

"Çfarë të bëja, me se t‘i ushqeja. Unë jam pa shkollë, jam pa punë dhe bredh sa andej këtej për të fjetur", pohon ajo dhe tregon me gisht nga e ëma, një grua që nuk ka hyrë ende në të gjashtëdhjetat, por jeta duket që e ka lodhur pa masë. Anila ngjan sikur kërkon edhe pohimin e saj, për të provuar se është njeri i mirë dhe i do fort të vegjlit, të cilëve u ka dhënë jetën. "U bëra si e çmendur kur më thanë se në shtëpinë e foshnjës, fëmijët e mi do t‘i birësonin", shton ajo, teksa nuk mundet t‘i ndalë ngashërimet.

Ka shkuar menjëherë për t‘i marrë të tre fëmijët. I ka sjellë në shtëpinë e së ëmës, një hapësirë e ngushtë sa një garsonierë, ku me zor gjen strehë një familje e gjerë prej 10 vetash. Por siç tregon edhe vetë, ka mundur që t‘i mbajë vetëm për pak ditë. "Nuk arrija dot që t‘i ushqeja. Ata ishin mësuar që t‘i hanin të gjitha vaktet. Unë u jepja vetëm një herë në ditë, keq e keq. S‘kisha ç‘të bëja, i ktheva prapë".

Djali i saj i madh tani ka mbushur 5 vjeç, ndërsa vajza e dytë është 2 vjeçe e gjysmë. Më i vogli është vetëm tetë muajsh. Anila nuk pranon në asnjë mënyrë që të vegjlit e saj të nisin procedurat e birësimit dhe të jetojnë në familje që do t‘u sigurojnë gjithçka që ajo nuk mundet. Dhe këtë nuk e bën për shkak të egoizmit. Ajo jeton me shpresën se një ditë do të mund t‘i marrë fëmijët e saj dhe të jetojnë së bashku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›