E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Lushnjë-Fier rrezikon jetën e banorëve

Autostrada Lushnjë-Fier është kthyer në një rrezik të vërtetë për jetën e banorëve të zonave pranë saj. Banorët e mjaft fshatrave që shtrihen përgjatë autostradës Lushnjë-Fier janë të detyruar të kalojnë përmes kësaj rruge, për të shkuar në banesat apo edhe në tokat e tyre. Mbikalimet dhe nënkalimet e ndërtuara përgjatë autostradës në fjalë nuk kanë përfunduar dhe si nën to dhe mbi to nuk mund të kalojë asnjë mjet motorik. Madje, edhe këmbësorët e kanë mjaft të vështirë kalimin e anëve të autostradës.

Daljet e pakta që ekzistojnë përgjatë 22 km të autostradës janë shumë larg tokave të fermerëve të zonës. Fermerët që kanë tokën dhe të mbjellat e tyre përgjatë autostradës duhet të përshkojnë kilometra të tërë për t‘ju afruar daljeve të pakta.

"Që kur ishte autostrada në ndërtim e sipër, ne kërkuam mbikalime dhe nënkalime, aq më shumë për mjetet motorike. Me përfundimin e autostradës asnjë nga këto kërkesa nuk u realizua. Sot përditë e më shumë jemi përballë vdekjes", shprehet Sokrat Ndreko, banor i Komunës së Kolonjës. "Duam rrugë të dyta. Nuk kalojmë dot as në këmbë e as me mjete. Nuk çojmë dot as barin e thatë dhe as të korrurat në shtëpi. Duam të transportojmë diçka na duhet që të sfidojmë vdekjen", pohon Sose Vasa, një tjetër banore e zonës.

Mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve ka bërë që në pak muaj të funksionimit të autostradës të shënohet një numër mjaft i lartë i aksidenteve, deri dhe me pasojë jetën. Përfundimi i autostradës zgjidhi problemin shumëvjeçar të automjeteve, por ngriti edhe një rrezik shumë më të madh për jetën e banorëve të kësaj zone.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›