E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpërthen dinamiti në dorë, plagoset punëtori

Shpërthimi i pallogaritur i një sasie eksplozivi ka plagosur rëndë një punëtor guroreje. Ndue Vishaj ka mbetur i plagosur në orët e mbrëmjes, kur ka qenë duke punuar në një zonë të Lezhës dhe nuk e ka llogaritur mirë kohën e shpërthimit. Policia, e cila është njoftuar për këtë ngjarje të rëndë, ka shkuar menjëherë në vendin e shpërthimit dhe ka nisur hetimet për të. Burimet nga policia lokale e Drejtorisë së Lezhës bënë të ditur se rreth orës 20.15 të mbrëmjes janë njoftuar se në spitalin rajonal të Lezhës është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore Ndue Vishaj, 54 vjeç. Spitali, i cili ka njoftuar policinë, ka shpjeguar se 54-vjeçari, që për orë të tëra ndodhet në reanimacion, është dëmtuar nga shpërthimi i dinamitit. Policia shpjegoi se menjëherë ka marrë kontakt me familjarët e tij, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, që kanë treguar se ngjarja ka ndodhur në Torovicë, në vendin e quajtur Shkëmbi i Kuq. Si çdo herë, në orët e pasdites, ku edhe lëvizjet ishin më të kufizuara, ai dilte për të punuar, me qëllim që të nxirrte gurë për t‘i shitur dhe për të mbajtur familjen. Por, nata e së shtunës nuk ka qenë si herët e tjera. Një gabim në llogaritje kohe ka sjellë shpërthimin e dinamitit. Policia ka gjetur në vendngjarje edhe sendet personale të të dëmtuarit. Ndërsa, sipas mjekëve, i dëmtuari ka marrë plagë në krah dhe disa djegie. Paraditen e djeshme, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe ai ka rrëfyer variantin se si ka ndodhur ngjarja. Ai është shprehur se e kishte ndezur fitilin e dinamitit, para se ta vendoste në vend dhe kjo ka bërë që t‘i shpërthejë fare pranë, duke i sjellë dëmtime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›