E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgjia e spitalit, me vegla të viteve ‘70

Spitali rajonal i Kukësit përballet vitet e fundit me mungesa të shumta, të cilat zbehin punën dhe rëndësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për banorët e tri rretheve të verilindjes. Përveçse me mungesa të specialistëve, përballet edhe me mangësi të theksuara të mjeteve operatore dhe atyre laboratorike. Një ndër kirurgët e këtij spitali, M. Mustafa, thotë se në sallën e operacionit në pavijonin e kirurgjisë punohet me vegla të viteve ‘70, ose edhe më herët të importuara nga Rusia, si dhe ndonjë vegël tjetër e sjellë nga Kina. Mustafa thotë se veglat operatore edhe ashtu të vjetra janë të pakta në numër. Ai thotë se vetëm puna e jashtëzakonshme e personelit bën që aty të mos shpërthejë ndonjë sëmundje. Nga ana tjetër, nëndrejtori i spitalit, Nikolin Martini, i cili nuk e fsheh këtë mungesë, thotë se nuk është aq shumë alarmante sa paraqitet nga mjekët. Sipas tij, nuk është vetëm kirurgjia që vuan për mjete, por edhe në repartet e tjera ka mungesa, përfshi edhe laboratorin e spitalit. Në këtë laborator punohet ende me një centrifugë të vjetër, të paefektshme dhe pothuajse të dalë jashtë përdorimit.

Ndërkohë, drejtues të spitalit thonë se ky institucion ka nevojë të ngutshme për më shumë se 10 mjekë specialistë si ortoped, psikiatër, reumatolog, gastrointerolog, anatomatolog, nefrolog e deri te specialistë mjeko-ligjorë. Ata shprehen se përgjegjësia për gjendjen bie mbi dikasterin qendror, mbi Ministrinë e Shëndetësisë, pasi nuk procedon në mënyrë efikase në këtë drejtim me specialistët e rinj që kualifikohen. Një muaj më parë, në këtë spital ka qenë për vizitë vetë ministrja Anila Godo, e cila duke parë gjendjen deklaroi se mjekëve, kryesisht të rinj, për të ardhur në Kukës duhet t‘u ofrohet jo thjesht vendi i punës, por edhe paga tërheqëse, si edhe kontrata që mjeku të punojë të paktën disa vite në këtë qytet. Të sëmurë të ndryshëm kurohen në tërësi nga patologu, ndërsa një numër pacientësh i drejtohen Tiranës, Prizrenit apo Durrësit, ku mund të gjendet një ortoped, anatomolog etj. Spitali rajonal i Kukësit ka një kapacitet prej 230 shtretërish në 8 pavijone dhe u shërben tri rretheve të qarkut, përkatësisht Kukësit, Hasit dhe Tropojës me gjithsej rreth 140 mijë banorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›