E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton të moshuarin, arrestohet nga policia

TIRANË- Pasi aksidentoi një të moshuar me makinë, u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia e ka arrestuar disa orë më vonë. Taulant Agushi, 22 vjeç, me banim në Tiranë, është ndaluar nga Policia e kryeqytetit me akuzën e "largimit nga vendi i aksidentit" dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e një të moshuari. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Agushi 22- vjeçar, të hënën rreth orës 15 e 15 minuta, duke udhëtuar me makinën e tij tip "BMW" me targa të huaja, ka aksidentuar rëndë këmbësorin Haxhi Çeça, 86 vjeç, me banim në Tiranë. I moshuari është përplasur nga mjeti që drejtohej nga Taulant Agushi dhe është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Sipas policisë, pas aksidentit, drejtuesi i automjetit tip "BMW", është larguar nga vendi i aksidentit, por pas informacioneve të marra është bërë i mundur arrestimi i tij nga efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Agushi, akuzohet për veprën penale të largimit nga vendi i aksidentit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Po në fillim të kësaj jave, në Tiranë, ndodhën dhe dy aksidente të tjera me pasojë një të vdekur dhe dy të plagosur. Aksidenti i parë ndodhi në vendin e quajtur "qafa e Kasharit, ku pas përplasjes së automjet tip "Land Rover", me mbikalimin e këmbësorëve, humb jetën drejtuesi i makinës, 54- vjeçari Ylli Zahaj dhe plagoset një tjetër person që ishte në makinë me viktimën. Ndërsa aksidenti tjetër më pasojë një të plagosur ndodhi në Kodrat e Kërrabës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›