Babai i biznesmenit rrëfen përleshjen me grabitësit
Sipas burrit të moshuar, të panjohurit, i mbyllën gojën dhe e kërcënuan të mos fliste për ngjarjen
Një ditë pas ngjarjes së të hënës në mëngjes në Sauk, ku tre persona të panjohur tentuan të grabisin banesën e tregtarit Astrit Xhabrahimi, babai i tij, Bedri Xhabrahimi, 77 vjeç, ka rrëfyer për gazetën "Shekulli", momentet e frikshme të konfrontimit të tij me grabitësit në banesën e tij, gjatë natës së të dielës duke u gdhirë dita e hënë. Rreth orës 2:00 të mëngjesit, tre persona të panjohur tentuan të grabisnin një kasafortë në banesën e tij, për t'i marrë një sasi parash që ata mendonin se kishte në kasafortë. Burri i moshuar tregon se autorët kishin hyrë në banesë nga muri rrethues i vilës trikatëshe dhe më pas nëpërmjet një dritareje të hapur, ata kanë mundur të hyjnë në të. Madje sipas tij, një nga autorët e kishte kërcënuar me armë që të mos njoftonte personat e tjerë të familjes apo policinë për ngjarjen. "Aventura" e tre personave nuk ka rezultuar e suksesshme, pasi ata janë diktuar duke bërë që ata të largohen pa marrë kasafortën ku mendonin se mund të kishte sasi të konsiderueshme parash. Në fakt sipas burimeve të policisë, në kasafortë tregtari Xhabrahimi kishte pasur vetëm 22 euro.
Si ndodhi ngjarja e mëngjesit të djeshëm kur donin t'ju grabisnin ?
Duhej të ishte ora rreth 2:20 e mëngjesit, ne ishim të gjithë në gjumë. Unë u ngrita për të shkuar në banjo dhe më pas u ktheva për të fjetur. Mendoj se grabitësit duhet të kenë qenë brenda duke parë lëvizjet e mia dhe pas 15 minutash dëgjova një zhurmë. Nuk mendova se mund të kishte njerëz të huaj brenda, por mendova se mund të ishte ndonjë zhurmë e zakonshme, ndërsa dera e ballkonit ishte e hapur. Në këto momente u ngrita dhe dola në korridor. Aty pashë tre persona në shesh pushimin e shkallëve të katit të dytë, të cilët po qëndronin të ulur për të mos rënë në sy. Në momentin e parë kur unë i pashë, ata nuk reaguan fare. Nga sa pashë mu dukën sikur qenë të pamaskuar. Unë pa bërë asnjë veprim u nisa të shkoj tek dera kryesore e vilës, por në këtë moment njëri prej tre personave u nis me vrull drejt meje duke më vënë dorën në gojë dhe mbi sytë, paralelisht me këtë që u nis tek unë një tjetër nxori pistoletën. Personi që më mbante që të mos lëvizja më kërcënonte të mos flisja: mos fol, mos fol më kërcënonte herë pas here. Më pas dy prej tyre hapën derën e madhe të shtëpisë dhe u larguan, ndërsa personi i tretë vazhdonte të më mbante mua për të mos lëvizur dhe thirrur njeri tjetër, duke mos më lënë që ta shikoja. Personi që po më mbante mua, tentoi të më nxirrte jashtë me forcë, por unë u shtrëngova fort mbi derë dhe nuk dola. Në këto momente ai më lëshoi dhe u largua. Sapo ky më lëshoi dhe u largua unë u rrëzova në dysheme.
Pjesëtarët familjes ende nuk kishin kuptuar ç' po ndodhte ?
Kur ishin larguar të tre grabitësit, unë thërras djalin e madh Saliun, i cili doli menjëherë nga dhoma e gjumit, duke më pyetur se çfarë kishte ndodhur. Më pas të dy djemtë e mi Saliu dhe Astriti u vunë në ndjekje të tyre, jashtë rrethimit të shtëpisë. Nga ajo që më thanë sapo kishin dalë në rrugë, kishin parë tre personat që po qëndronin në këmbë, disa metra larg shtëpisë. Kur tre personat konstatuan se djemtë i kishin parë, atëherë qëlluan me armë disa herë në ajër, për t'i trembur që të mos i ndiqnin.
Nga u larguan pasi qëlluan me pistoletë ?
Sapo qëlluan në ajër, u larguan menjëherë në drejtim të një rruge tjetër, jo nga rruga kryesore. Më pas dy djemtë u kthyen për në shtëpi. Kur unë dëgjova krismën u nisa për të dalë jashtë portës së madhe, mendova se mund të kishte ndodhur diçka, mos kishin qëlluar në drejtim të dy djemve. Njëri prej djemve tentoi t'i ndjekë, por përderisa nuk na dëmtuan, i lamë të shkonin. Por duke parë afër vendit ku po rrinin, konstatuam se kishin patur me vete ca sende të forta, të cilat i kishin lënë larg shtëpisë dhe nuk i kishin marrë për të ikur sa më shpejt. Nga ikja me nxitim kishin lënë dhe këpucët pa marrë. Ata besoj se i kanë marrë për të nxjerrë kasafortën deri jashtë shtëpisë. Qëllimi i tyre ishte për të grabitur paratë në kasafortë nëse ka patur dhe jo ndonjë gjë tjetër.
A ju pyeti policia për ngjarjen
Po sigurisht ata erdhën këtu vetëm pak kohë pasi ne i njoftuam ata pas ngjarjes. Fillimisht na morën në pyetje ndërsa të tjerët po merrnin gjurmë në vende të ndryshme të shtëpisë ku kishin kaluar dhe prekur ata. Kërkuan të dinin prej nesh rrethanat e ngjarjes dhe gjëra që iu duheshin. Më pyetën mua dhe Astritin më shumë. Unë iu tregova ç'kishte ndodhur, ndërsa Astritin për gjëra të tjera që iu interesonin, ndoshta për kasafortën e gjëra të tjera. Si mbaruan punë u larguan për të vazhduar punët e tyre.
Tentativë në të gdhirë të ditës së hënë
Ngjarja në të cilën u tentua të grabitej banesa e biznesmenit të tapeteve dhe sixhadeve Astrit Xhabrahimi,
ndodhi rreth orës 2:30, duke u gdhira dita e hënë, në lagjen "Sauk i Vjetër", në Tiranë. Tre persona të paidentifikuar, pasi hynë në banesën e vëllezërve Xhabrahimi, tentuan të grabisin nga aty kasafortën që ndodhej në banesë, me dyshimin se në të kishte sasi të konsiderueshme parash. Lëvizjet e tyre janë dëgjuar nga babai i biznesmenit, 77- vjeçari Bedri Xhabrahimi që ka reaguar duke u konfrontuar me autorët. Vetë familjarët e biznesmenit shmangën vjedhjen e kasafortës, ku mendohej se mbaheshin lekët e familjes.
Ekspertët gjejnë gjurmë në banesë
Veç veprimeve proceduriale hetimore të kryera në vendin e ngjarjes nga hetuesit e Zyrës kundër krimit të Grabitjeve me armë, specialistët kriminalistë, kanë kryer një sërë veprimesh dhe këqyrjeje në banesë në vendin dhe në vendet ku policia mendonte se autorët kishin lënë gjurmë. Burime të "Shekullit", kanë bërë të ditur se gjurmët e administruara në këtë vendngjarje, janë të vlefshme. Ndërkaq aty mësohet se janë administruar disa gjurmë gishtërinjsh, një palë këpucë, si dhe disa gëzhoja që mendohet se iu përkasin armëve të autorëve të tentativës së grabitjes.