E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, 40-vjeçari plagoset me plumb në kokë

Dyshimi, Petrit Manaj është qëlluar në lokal nga një pistoletë stilolaps, e cila nuk ka mundur që të depërtojë kafkën

PATOS- Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë ditën e djeshme në Fier dhe në Patos pas plagëve të marra me armë zjarri dhe thika. Të plagosurit ndodhen në spitalin rajonal të Fierit dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e parë është shënuar duke gdhirë dita e djeshme në një lokal në qendër të qytetit të Patosit. Sipas burimeve të policisë, shtetasi Petrit Manaj, 40 vjeç, banor i këtij qyteti është qëlluar me pistoletë. Manaj ka qenë i ulur në një tavolinë me tre persona të tjerë, kur persona deri tani të paidentifikuar kanë qëlluar mbi të, por askush nga klientët e lokalit nuk ka parë autorin e kësaj ngjarjeje.

Pas njoftimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin duke pyetur edhe dëshmitarët që ndodheshin brenda lokalit. Punonjësit e policisë gjetën gëzhojën e armës në pjesën e jashtme të lokalit mes ca pemëve, ku policia mendon se autori ka qenë i fshehur dhe ka qëlluar prej aty. Gjatë paradites së djeshme, një grup hetimor ka shkuar në spital për të marrë dëshminë e Manajt, por gjendja e tij shëndetësore e ka vështirësuar marrjen e ndonjë informacioni. Policia po heton pistën për motive të dobëta. Policia ka shoqëruar për të pyetur lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje 5 persona, por ende nuk ka të akuzuar. Po ashtu burimet nga policia e Fierit pohojnë se pistoleta mbi të cilën është qëlluar në kokë 40 vjeçari në bazë të kalibrit të fishekut, mund të ketë qenë pistoletë-stilolaps.

Ndërkohë, po dje, në qendër të qytetit të Fierit persona të paidentifikuar kanë qëlluar me thika 33-vjeçarin Lorenc Plepi, duke i shkaktuar plagë të rënda. Sulmi ndaj tij ndodhi rreth orës 06.30 në lagjen "29 Nëntori", e cila ndodhet në qendër të këtij qyteti. Plepi, në kohën që është qëlluar, ka qenë duke ecur në këmbë në rrugën dytësore të kësaj lagjeje, në afërsi të gjykatës. Persona ende të pa identifikuar i janë afruar dhe njëri prej tyre e ka qëlluar dy herë me thikë në trup 33- vjeçarin, duke i shkaktuar një plagë në shpinë, në pjesën e sipërme të shpatullës, dhe plagën tjetër në pjesën e krahut të djathtë. Ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, 33-vjeçari ka arritur të dalë në rrugën kryesore, ku me makinë të rastësishme është dërguar për në spital.

Pas trajtimit mjekësor, policia ka pyetur të plagosurin për të marrë informacione lidhur me autorët ose detaje të tjera të rëndësishme për zbulimin e tyre. Ai ka dëshmuar për policinë se nuk i ka njohur autorët. Ndërkohë, grupi hetimor po heton edhe për një sherr banal që Plepi ka pasur me disa persona në zyrat e aplikimit të kartave të identitetit, por kjo mbetet për t'u zbardhur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›