Droga, arrestohet kreu i këshillit bashkiak të Tepelenës
Petrit Abedini, që është përfaqësues i "PSV 91" dhe një prej tregtarëve më të fuqishëm të qytetit, u kap me 50 kg marijuanë
KAKAVIJË- Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tepelenës është arrestuar paraditen e djeshme teksa trafikonte 50 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në drejtim të Greqisë. Petrit Abedini njihet në qytetin e Tepelenës si një prej tregtarëve më të fuqishëm dhe anëtar i "PSV 91". Operacioni për arrestimin e tij është koduar me emrin "Prita".
Dy muaj përgjime telefonatash dhe informacione të marra në rrugë operative kanë zbardhur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. 50 kilogram lëndë narkotike e llojit marijuanë u sekuestrua ne Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, ndërsa transportohej me një automjet tip maune. "Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, por edhe si rezultat i punës investiguese dy mujore, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimëve narkotike, ka organizuar një tjetër operacion të koduar "Pritja", për të goditur trafikun e lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek", ka bërë te ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
Ka qenë ora 14.30 e ditës së djeshme kur në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës është paraqitur automjeti tip MAN, me targa "TP 27 98 B" (koka e kamionit), si dhe trajlerin me targa "TP 28 08 B", që drejtohej nga shtetasi Petrit Abedini. Menjëherë pas paraqitjes për kryerjen e procedurave doganore, automjeti i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm nga specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar prej nga ka rezultuar se informacionet ishin të sakta. "Gjatë kontrollit të ushtruar nga agjentët dhe specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në këtë automjet, rezultoi se poshtë dyshemesë së trajlerit me targë TP 2808 B, ishin të fshehura 35 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë, ku secila pako peshonte nga një kilogramë deri në një kilogram e gjysmë. Ky shtetas ishte biznesmen në Tepelenë, ku kishte magazina shumice të miellit dhe ushqimoreve. Në trajler kishte ngarkuar një kontenier bosh me qëllim maskimin e lëndës narkotike dhe lëvizte nga Tepelena për në Athinë, duke përfituar edhe nga fluksi i madh i emigrantëve", ka theksuar më tej Mullai.
Mësohet se i arrestuari në flagrancë ka mohuar lidhjen e tij me këtë trafik droge. Ndërkaq, burime policore kanë bërë të ditur gjithashtu se 50- vjeçari Petrit Abedini, që ishte edhe pronari i automjetit, mbante statusin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës dhe është anëtar I PSV 91. Tashmë ai do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të 'Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike".