E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurbin, 40-vjeçari ekzekutohet në sy të 3 fëmijëve

Alfred Gjeci është vrarë me 6 plumba nga djali i xhaxhait të bashkëshortes nga e cila ishte ndarë pak kohë më parë



KURBIN- Një 40 vjeçar, baba i tre fëmijëve, është ekzekutuar pasditen e djeshme në Kurbin nga djali i xhaxhait të ish- bashkëshortes pas ndarjes dhe keqtrajtimeve të kësaj të fundit. Alfred Gjeci nga Shkopeti i Kurbinit është qëlluar për vdekje me gjashtë plumba në sy të fëmijëve të tij nga 40 -vjeçari Alfred Sefgjini. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.00 në dalje të fshatit Shkopet, në lokalin e viktimës i cili ndodhej ngjitur me rrugën nacionale Milot- Burrel. Krimi i rëndë ka ndodhur në sy të tre fëmijëve të viktimës.

Autori i krimit, pasi ka debatuar me viktimën, i cili kishte ndarë bashkëshorten vetëm pak kohë më parë, ka qëlluar Gjecin duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj Alfred Sefgjini ka lënë vendin e ngjarjes por nuk është larguar nga fshati, duke bërë që ai të arrestohej vetëm dy orë më vonë duke dalë nga një banesë jo shumë larg nga vendi ku u krye vrasja. Nga hetimet e para ka rezultuar se viktima ishte ndarë disa herë nga ish- gruaja e tij, duke u ribashkuar sërish, por në vazhdimësi e keqtrajtonte të shoqen, edhe pse familjarët e sajë kishin kërkuar sqarimin e rrethanave. Duke mos mjaftuar keqtrajtimi ndaj së shoqes, mësohet se edhe lokali i ndërtuar nga viktima ka qenë mbi truallin e familjes Sefgjini, por ata janë shpërfillur nga 40- vjeçari Gjeci, i cili për asnjë rast nuk ka denjuar të sqarohet për pronësinë e truallit.

Hetuesit e ngjarjes pohuan se çifti Gjeci kishte pasur vazhdimisht konflikte, duke sjellë edhe keqtrajtimin e bashkëshortes nga ana e 40- vjeçarit. Kontaktet e vazhdueshme ne mes të palëve nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, duke vazhduar e njëjta situatë. Në mungesë të vëllait, bashkëshortja e Gjecit, është përkrahur nga djali i xhaxhait të saj, i cili ka tentuar disa herë të zgjidhë mosmarrëveshjet. Prej kohësh çifti Gjeci ndahej dhe ribashkohej, ndërsa ndarja e fundit ka qenë vetëm gjashtë muaj më parë. Në këto rrethana, dhe duke mos pranuar asnjë sqarim mbi truallin ku viktima kishte ndërtuar lokalin, djali i xhaxhait të bashkëshortes së Gjecit i ka telefonuar atij dhe i ka kërkuar takim tek lokali ku edhe jetonte së bashku me tre fëmijët.

Viktima ka pranuar që të takohet me njeriun e ish-gruas. Por Sefgjini kishte shkuar i armatosur në lokalin ku do të zhvillohej takimi. Pasi janë takuar, Alfred Gjeci dhe Alfred Sefgjini kanë debatuar mbi konfliktin e vazhdueshëm mes tyre. Duke parë mosbindjen e kunatit të tij, Sefgjini ka qëlluar gjashtë herë mbi Gjecin duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithçka ka ndodhur në sy të fëmijëve të viktimës, ku më i madhi i tyre ka qenë vetëm 13 vjeç. Sipas policisë, viktima ka marrë plumba në kokë dhe në trup. Menjëherë pas vrasjes,agresori është larguar nga vendngjarja ndërsa menjëherë atje kanë mbërritur forca të shumta policie. Fëmijët e familjes Gjeci janë marrë në mbrojtje nga policia, pasi ata kanë qenë të tmerruar nga ajo çfarë kanë parë. Dëshmia e tyre do të zbardhe ngjarjen dhe debatin ku mbeti i vrarë 40- vjeçari Alfred Gjeci. Arrestimi i autorit të kësaj vrasjeje është kryer vetëm pak orë më vonë, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes. Sefgjini ka rënë në prangat e policisë pasi po dilte nga një banesë aty afër,ndërsa nuk i ka rezistuar uniformave blu që e kishin rrethuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›