E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion "Fshesa" në Athinë, ndalohen qindra emigrantë

 

Sheshi "Omonia" në qendër të Athinës, i njohur për mbipopullimin nga emigrantët shqiptarë u kthye dje në objektivin e një aksioni të policisë greke. Fushata policore e njohur edhe më parë si operacioni "Fshesa" është kryer nga policia greke me qëllim kapjen e emigrantëve të paligjshëm dhe më pas riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës. Në objektivin e operacionit ka qenë edhe ndalimi i personave të kërkuar për kryerje të veprave penale në Greqi, kryesisht krime që kanë të bëjnë me vjedhjet, grabitjet dhe trafiqet e paligjshme. Televizioni grek "Mega" transmetoi dje në mbrëmje imazhe të filmuara në sheshin qendror të Athinës. Sipas imazheve të publikuara, një numër i madh forcash të policisë rrethuan zonën e më pas ndaluan dhjetëra persona të rinj në moshë dhe disa të tjerë që ishin në grupe apo dhe kalimtarë. Të gjithë personat e prekur nga aksioni mësohet se kanë qenë emigrantë për vetë specifikën e zonës ku veproi policia e njohur gjerësisht si vendqëndrimi i të huajve. "Operacioni filloi në orën 22.00 të enjten dhe sipas policisë ka për qëllim kapjen dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm. Aksioni është përqendruar kryesisht në Athinë dhe Selanik në të njëjtën kohë, duke prekur dy qytete të populluara dukshëm nga emigrantët shqiptarë. Pretekst për aksionin kanë qenë vjedhjet dhe grabitjet e shumta që kanë ardhur në rritje gjatë kohëve të fundit. Qindra kontrolle dhe verifikime janë kryer gjatë operacionit. Agjencia e lajmeve "Cosmo online" raportonte dje se të paktën 96 persona u arrestuan gjatë veprimeve të policisë në ditën e parë të aksionit. "Përpjekjet e policisë do të japin frytet e tyre", citohet të ketë thënë E. Antonarou, zëdhënës i qeverisë. Sipas policisë, në sheshin "Omonia", u arrestuan edhe 19 persona të dyshuar për implikim në trafikun e lëndëve narkotike. Mes këtyre personave 13 ishin emigrantë të huaj me qëndrim pa dokumente në Greqi. Njëri nga personat e ndaluar nga policia, emigrant shqiptar mësohet se u gjet gjatë kontrollit me një thikë të fshehur nën rroba dhe menjëherë u arrestua. Mediat greke raportojnë se edhe 67 arrestime janë kryer në Selanik ku pre e aksionit kanë rënë dhjetëra emigrantë të paligjshëm. "Operacionet do të vazhdojnë pa ndërprerje edhe në ditët në vazhdim jo vetëm në Athinë, por edhe zonat e tjera të vendit, sidomos në ato që nga policia njihen si rajone "geto", të populluara masivisht nga emigrantë të paligjshëm ku kriminaliteti konsiderohet i lartë", cituan dje mediat greke burime të policisë vendase.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›