Sherr mes shqiptarësh, vritet emigranti në Itali
Një 29-vjeçar nga Shqipëria humbi jetën ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur, pas një përplasjeje me armë mes dy grupeve shqiptare në Arezo të Firences në Itali. Sipas mediave italiane, një nga shqiptarët e plagosur ndodhet në spital, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore që i rrezikon jetën. Shqiptari që ndërroi jetë është një 29-vjeçar, i cili u qëllua disa herë me pistoletë nga shqiptarët e grupit rival, me të cilët kishin pasur përplasje dhe mosmarrëveshje edhe herë të tjera. Në këtë përfundim kanë arritur hetuesit italianë që po merren me këtë ngjarje dhe paraprakisht kanë ngritur dyshimet e para. Sipas mediave italiane, përplasja mes shqiptarëve kishte nisur gjatë natës së të shtunës, ndërkohë që përdorimi i armëve nisi në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, në një shesh në rrugën Torricelli. Sipas policisë italiane, viktima është identifikuar dhe quhet Agim Leka. Ai mbërriti në urgjencë në spitalin e Arezos, i ndihmuar nga një automjet, i cili e la në hyrje e më pas u largua me shpejtësi. Ndihmësmjekët dolën pasi kishin dëgjuar thirrje për ndihmë dhe gjetën të riun e plagosur të shtrirë për tokë. Ai dukej se kishte marrë shumë plumba pistolete dhe vdiq pak më pas, pa qenë e mundur t'i jepej ndihma e parë. Pas tij, ambulanca ka dërguar në spital një tjetër të plagosur, që sipas policisë është identifikuar si Rodjan Ruçi, 27-vjeç. Mësohet se Ruçi ka marrë një plumb në pjesën e kofshës dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, por si pasojë ka dëmtuar një pjesë të arteries kryesore, gjë që i rrezikon jetën, pasi ka humbur shumë gjak. Ndërkohë, i plagosuri tjetër mbetet ende i paidentifikuar, por edhe ai është një i ri shqiptar. Plagët në trupin e tij dyshohet se mund të jenë të shkaktuara nga një goditje me kaçavidë, por ende nuk jepen detaje. Po ashtu, nuk dihet asgjë për shkakun e përleshjes mes dy grupeve, ndërkohë që hetuesit janë në mbledhjen e të dhënave.