E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion antidroge në Shkodër dhe Gjirokastër

Dy aksione antidroge të zhvilluara në Shkodër dhe Tepelenë janë finalizuar me identifikimin dhe asgjësimin e rreth 5000 rrënjëve kanabis sativa. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ditën e djeshme, në kuadër të operacionit të koduar "Vija Ajrore", agjentët e antidrogës në Policinë e Shkodrës kanë identifikuar dhe asgjësuar 3700 rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa në zonat e thella malore të rrethit. Të njëjtat burime referojnë se goditja është përqendruar kryesisht në terrenet e thella malore në Temal, në kufi me Tropojën, në vendin e quajtur Sipër Digës, në fshatin Qerret dhe në Mazrek, një territor i hapur nëpërmjet shpyllëzimit dhe pa pronar. Aty u identifikuan 22 parcela me rreth 3700 rrënjë kanabis sativa në total. Ndërsa Policia e Qarkut të Gjirokastrës, po dje ka asgjësuar 2 parcela të mbjella me bimë narkotike në fshatin Benç të Komunës Qendër në Tepelenë. Bimët narkotike ishin mbjellë në mes të lisave dhe shkurreve të shumta, gjë që kishte vështirësuar identifikimin e parcelave deri në pikasjen nga policia. Në total ato kanë qenë 1076 rrënjë kanabis sativa, të cilat janë asgjësuar në vend. Në të dyja rastet, policia nuk ka mundur të gjejë dhe identifikojë kultivuesit e bimëve narkotike, ndërkohë që aksionet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›