E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmben një foshnje, kapet 9-vjeçarja

Rrëmbehet një foshnjë nga shtëpia, gjendet nga policia së bashku me rrëmbyesen e saj 9-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Kukësit, ndërkohë që mendohet se pas së miturës, fshihet një grup adoleshentësh, që kohët e fundit janë bërë problem për komunitetin për vjedhje dhe krime të tjera. Ka qenë ora 7.30 min e së martës, kur policia e Kukësit është sinjalizuar për rrëmbimin e një foshnje në një prej pallateve të lagjes nr. 3 të qytetit. Dyshohet se një vajzë vetëm 9-vjeçe, me iniciale E.E. ka hyrë në apartamentin e një familjeje të re nga Hasi, të cilët jetonin aty me qira. E mitura mendohet të ketë hyrë lehtësisht brenda, pasi dera e jashtme ishte e hapur, pasi e zonja e shtëpisë ka qenë duke pastruar shkallët e pallatit. Pasi ka hyrë brenda mendohet se ka marrë nga krevati foshnjën 4-muajshe, me inicialet I.K dhe ka dalë me të në krahë. Familjarët, nuk e kanë vënë re mungesën e foshnjës, vetëm kur një fqinj i tyre, me profesion efektiv i lartë i policisë në Kukës, ka parë vajzën e panjohur që mbante foshnjën në krahë dhe i habitur ka pyetur nënën e të miturës se ku e kishte dërguar. Nëna e foshnjës, një e re 26-vjeçare, e befasuar nga pyetja është përgjigjur se e kishte lënë në shtrat, brenda në shtëpi. Këtu ka nisur edhe alarmi, që fatmirësisht ka qenë vetëm pak çaste pas rrëmbimit. Policia e Komisariatit të Kukësit menjëherë ka bllokuar të gjitha daljet e qytetit dhe ka nisur operacionin e kërkimit të foshnjës. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë, Irena Laknori, ka sqaruar se foshnja 4-muajshe u gjend në krahët e një fëmije 9 vjeç me inicialet E.E. lindur dhe banuese në Kukës. I njëjti burim sqaron se foshnja i është kthyer nënës së saj shëndoshë e mirë, ndërsa për ngjarjen në fjalë, janë shoqëruar për në Komisariatin e Kukësit 9-vjeçarja së bashku me nënën dhe familjarë të tjerë, një motër 16 vjeç dhe njëri nga vëllezërit e saj, 14 vjeç. Mësohet se e mitura me inicialet E.E. ka deklaruar në polici se foshnjën ia kishte lëshuar në krahë një kalimtar te agjencia e udhëtarëve dhe se nuk e njihte dhe as dinte çfarë të bënte me të. Ndërkohë që ka mohuar që të ketë shkuar në shtëpinë e foshnjës dhe ta ketë rrëmbyer atë. Nëna dhe dy fëmijët më të rritur të familjes kanë mohuar të kenë qenë në dijeni të rrëmbimit. Policia ende nuk ka dhënë ndonjë masë ndalimi, por është ende duke hetuar për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, babai i foshnjës së rrëmbyer, thotë për "Shqip" se: "Kemi jetuar momente tmerri, kjo gjë mos i ndodhtë askujt. Ne na gëzon fakti që vajza është shëndoshë e mirë, për të tjerat nuk duam të flasim". Ndërkohë, një grua 40 vjeçe banuese në afërsi të vendngjarjes, ka pohuar se e kishte parë 9-vjeçaren me një foshnjë në prehër të ulur në bordurën e rrugicës, rreth 50 m larg apartamentit të foshnjës. "Po rrinte ulur aty si kur të priste dikë që ta merrte me makinë dhe më bëri përshtypje, por vetëm pas pak mora vesh se kishte qenë foshnja e rrëmbyer", ka thënë ajo.

Mësohet se në momentin kur 9-vjeçarja është ndaluar fillimisht ka refuzuar të hipë në fugonin e policisë. "Nuk vij në polici, sepse kam frikë, unë nuk kam bërë gjë", mësohet të ketë thënë e mitura, ndërsa policia e kishte marrë me vete, me të ëmën dhe familjarët e tjerë. Burime të policisë lokale tregojnë se familja e të miturës 9-vjeçare ka precedentë penalë, kryesisht gjobëvënie, ndërsa i vëllai qe lakuar për ngjarjen e grabitjes së familjes kosovare, ku mbeti e plagosur një grua, ngjarje kjo e ndodhur një muaj më parë. Grupe adoleshentësh në Kukës dhe në Has kohët e fundit kanë kryer dhjetëra vjedhje dhe grabitje, për të cilat Gjykata e Shkodrës, përkatësisht sektori i të miturve ka dhënë dënime me disa ditë burg apo thjesht këshillime, për shkak të moshës së mitur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›