E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion falsifikimesh në bashki, sekserët bëjnë punëra me të lirë

30-06-2011 / Gazeta 55

Edi Rama po e zgjat procesin e ankimimit, veç për të përfunduar një proces të falsifikimit të shkresave e të ndërhyrjes në numrat e protokolleve, me qëllim të ligjërimit të disa lejeve të fundit të ndërtimit. Aksioni korruptiv po kryhet me urgjencë për të mundësuar bitisjen e disa punërave urgjente, të cilat ishin lënë pezull. Sekserët e Edvinit tashti kanë nisur të bëjnë punëra me të lirë, meqenëse s’kanë shumë kohë, sipas urdhrit “shkelni çdo ligj, sepse gjithçka është e humbur”

Zgjatja e procesit të kurorëzimit të kryebashkiakut të ri të Tiranës, mësohet se nga ana e ish-kryebashkiakut Edi Rama, është asgjë më shumë se dhënie kohë vetes (Edi Ramës) për të përfunduar një proces të falsifikimit të shkresave, numrave të protokolleve... etj..., etj...
Në këtë aksion, ku të tjerë janë ata që merren me boshatisjen e zyrës dhe zhvendosjen e sendeve personale të Edi Ramës, ku të tjerë janë edhe ata që merren me zhvendosjen pa dhimbje të breshkave të Edi Ramës, të tjerë janë gjithashtu edhe ata që janë përfshirë në këtë aksion falsifikimesh në bashki.
Sigurisht, këta të fundit, të përfshirë në aksion falsifikimesh në bashki (me gjithë rëndësinë dhe delikatesën e zhvendosjes së breshkave), janë më të rëndësishmit.
Nuk dihet në se Edi Rama e kishte menduar apo jo humbjen e bashkisë së Tiranës. Por, ajo që dihet me siguri, është se në bunker-bashkinë, gjurmët e aferave të dyshimta korruptive, janë të shumta dhe gjenden andej këndej, aq sa Edi Ramës, me gjithë sforcon, nuk do ti mjaftojë “periudha e tranzicionit”, për ti fshirë këto gjurmë. Pamundësia (me gjithë sforcon e Edi Ramës, për të bërë sa të mundet), për fshirjen e këtyre gjurmëve të shumta, qëndron në faktin se ato shtrihen në kohë dhe në hapësirë. Në kohë, këto gjurmë, fillojnë saktësisht që kur Edi Rama kishte marrë postin e kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa Arta Dade, pasardhësja në mistrinë e Kulturës, e denonconte për aferat me fasadat. Ndërsa në hapësirë, dukshëm janë në çdo cep të Tiranës, ku çdo pallat i mbirë mbi ndonjë ish-rrugë, ka konvertuar në deputet ndonjë tip Dash Peza.
Por, këto gjurmë nuk janë të vetmet.
Ndër vite Edi Rama ka qenë objekt akuzash e denoncimesh, por falë bunkerizimit të bashkisë, ku as deputetë të komisioneve hetimore parlamentare nuk ka lejuar të hyjnë, ia ka dalë, të shtyjë mosmundësinë e faktimit të këtyre akuzave. Tashmë kur ai nuk ndalon dot për të hyrë në bashki, por është vetë duke dalë prej saj, nuk i ngelet gjë tjetër, por për punët publike, ku rrugë të ndryshme të Tiranës janë veshur në mënyrë të përsëritur me asfalt, ku leje ndërtimi janë dhënë në mënyrë selektive, ku kumbulla të kuqe janë “mbjellë” më shumë nga çka banorë Tirana, etj..., etj..., atij i duhet, më tepër se sa të justifikohet, të vetëmbrohet.
Këto gjurmë, sigurisht duhen fshirë. Por që të fshihen këto, duhen falsifikuar një sërë shkresash e dokumentesh, për të cilat Edi Rama, ka zgjedhur kohën më të mirë të mundshme, ku vetë ia ka dalë të zhvendosë vëmendjen te Kolegji Zgjedhor, ndërsa duart të mos i nxjerrë ende nga bashkia.
I gjithë ky aksion falsifikimesh, ka edhe anën tjetër. Ndërsa Edi Rama është në orët e fundit, të hyrje-daljeve në bashki, atij i kanë mbetur pa vjelë disa “shpërblime”, për “ndere” që ka bërë me punët publike, apo lejet e ndërtimit. Ndaj, i vënë me sa duket, përballë kushteve, “më kopsit letrat, të të jap ‘shpërblimin’”, Edi Rama po nxiton të kopsitë këto letra, si bie fjala, sheshi “Skënderbej”, “të përfundojë” të paktën së ristrukturuari në letra, me qëllim që të gjithë “të mbeten” të kënaqur (financiarisht), në këtë fund-epoke të Edi Ramës në bashkinë e Tiranës. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet, bie fjala, ritmi marramendës, me të cilin punohet në sheshin “Skënderbej”, ritëm i pa parë në 11 vitet e Edi Ramës, si kryebashkiak i Tiranës.
Kjo periudhë, ndërsa po shfrytëzohet në maksimum nga Edi Rama, ka krijuar mundësinë, që të “ringjallë” edhe një “racë” tjetër, njerëzish, që ju duket vetja se kanë ende akses te bashkia e Tiranës. Këta janë, ndoca sekserë të vegjël, që kanë ulur pazarin e shërbimeve që ofrojnë, në maksimum, sepse koha, nuk ju premton, që të bëjnë pazar. Kjo “racë” sekserësh, si te batuta “të përfitojmë nga koha që na dha djali”, e filmit “Në fillim të verës”, kanë zgjedhur këtë fund epoke të kryebashkiakut Edi Rama, në këtë fillim vere, që të bëjnë punëra me të lirë, meqenëse s’kanë shumë kohë, sepse gjithçka është e humbur..., jo vetëm për Edi Ramën, djali “që po u jep edhe disa orë kohë”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›