E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion i 80 nxënësve për pastrimin e plazhit

Rreth 80 nxënës të klasave të nënta të shkollës 9-vjeçare "Adem Sheme" në qytetin e Sarandës, paraditen e së martës kanë ndërmarrë një aksion për pastrimin e Plazhit të Ri. Nisma e tyre është mbështetur edhe nga organizata e Kryqit të Kuq, dega e Sarandës, të cilët kanë ngacmuar dëshirën e fëmijëve për t‘u bërë pjesë e lëvizjes për të pasur plazhe të pastër nga mbeturinat. Drejtoresha e shkollës, Lina Vaso, tha se përfshirja e nxënësve të klasave të nënta për pastrimin e plazhit është organizuar si një orë e lirë mësimi në lëndën e edukatës qytetare.

"Për këtë na ka ndihmuar edhe Kryqi i Kuq, si organizatë, me të cilën kemi bashkëpunuar në vijimësi. Para se të nisnin pastrimin, nxënësit janë njohur më parë me gjendjen e Plazhit të Ri, ku mungesa e rërës, gropat dhe filtrimi i kanaleve të ujërave të ndotura janë disa nga problemet më të hasura. Përpara pamjeve të tilla, ata janë shprehur se përse nuk u pëlqen në këtë gjendje ky vend, që nuk mund të quhet plazh", ka thënë drejtoresha e shkollës. Nisma e 80 nxënësve është një apel ndaj të gjithë bashkëqytetarëve sarandjotë për ruajtjen e mjediseve të plazheve edhe në qytet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›