Gjermanët, 12 milionë euro për ujërat e zeza
Ambasada gjermane vijon të investojë në sistemin e ujërave të zeza, kanalizime dhe ujin e pijshëm, duke u gjendur pranë shtetit shqiptar. Vetëm pak ditë më parë, ambasadori gjerman ka përuruar në Pogradec sistemin e ri të ujërave të zeza, me financimin e bankës gjermane KfW-së, me vlerë rreth 12 milionë euro. Gjermania ka vënë në dispozicion të projektit "Furnizimi me ujë dhe sistemi i ujërave të zeza në Pogradec" një fond total prej rreth 21 milionë eurosh. Në bashkëpunim me ekspertë nga Gjermania, Shqipëria dhe Zvicra dhe në kuadër të programit mbi mbrojtjen e mjedisit për Liqenin e Ohrit është hedhur një bazë e re në furnizimin me ujë të pijshëm dhe në sistemin e ujërave të zeza të qytetit të Pogradecit dhe komunave përreth. Sistemi i ri synon reduktimin e rrezikut për shëndetin e popullsisë, për të pakësuar derdhjet e ujërave të zeza në liqen dhe për të shtuar atraktivitetin e zonës si një qendër turistike. Që prej vitit 1988, Gjermania ka shpenzuar për këtë bashkëpunim rreth 800 milionë euro. Për frymë të popullsisë, Shqipëria ka përfituar më shumë se çdo vend tjetër nga ndihma gjermane. Vitin e kaluar u mundësua dyfishimi i ndihmave vjetore, duke arritur mbi 90 milionë euro dhe vetëm javën që shkoi u miratuan edhe 1 milion euro të tjera për sektorin e shëndetësisë.