E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Produktet cilësore, ka ende punë për të bërë

Bizneset shqiptare kanë vështirësi të penetrojnë në tregjet e Bashkimit Evropian, jo si rrjedhojë e mungesës së informacionit apo historisë, por më shumë për shkak të cilësisë dhe sigurisë së pakët. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, e pranon se produktet shqiptare kërkojnë më shumë punë për të garantuar cilësi dhe siguri dhe kjo gjë do të arrihet falë investimeve që do të kryejë ministria nëpërmjet tri drejtorive përkatëse të fushës. "Arritjet e deritanishme në fushën e cilësisë së produkteve kanë qenë të mëdha, por duhet ende punë, të cilën ne do ta kemi të realizuar gjatë mandatit të ardhshëm", u shpreh dje Ruli në konferencën për "Infrastrukturën e Cilësisë". Më tej, ai sqaroi se cilësia e prodhimit është pikë kyçe, e cila ndihmon që malli të hyjë edhe në tregjet botërore dhe të konkurrojë me produktet e tjera. Drejtoritë që mbikëqyrin tregun, garantojnë produktin, mbrojnë markën dhe pranojnë akreditimin janë Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, Drejtoria e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Drejtoria e Standardizimit.

Marrëveshja MSA me BE-në detyron vendin që të përmbushë disa rregulla të tregut, në mënyrë që kur të vijë momenti i anëtarësimit, Shqipëria të jetë e plotë me dokumentet.

Për plotësimin e objektivave dhe të aksioneve të formuluara tashmë në planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asocimit dhe në strategjinë kombëtare të infrastrukturës së cilësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, e Standardeve dhe e Metrologjisë kanë pasur një mbështetje të fuqishme jo vetëm nga shteti, buxheti i shtetit, por edhe nga projektet evropiane për Shqipërinë dhe rajonin. Ministri Ruli u shpreh ndër të tjera se "objektivat kërkojnë investime të konsiderueshme, kërkojnë përkushtim, programim profesional, por ndërkaq të gjitha burimet financiare dhe njerëzore besoj që janë tashmë të garantuara, po ashtu është edhe arritja e këtyre objektivave që kemi vënë para vetes".

Konferenca e Infrastrukturës së Cilësisë është i pari aktivitet që organizohet në Shqipëri. Disa nga tematikat e prezantuara në konferencë ishin: menaxhimi i cilësisë, cilësitë e jetës, sistemet e integruara të menaxhimit, standardet dhe cilësia në organizata, sistemet e certifikimit, standardet dhe legjislacionet evropiane, sigurimi i cilësisë dhe kontrolli i cilësisë, sigurimi i cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›