E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monopolet, skedar për bizneset në QKR

Autoriteti i Konkurrencës tani do ta ketë më të lehtë që të evidentojë situatën financiare të kompanive, bashkëveprimin e tyre, mënyrën sesi funksionojnë, ortakët, etj. Interesi i Autoritetit është monitorimi i tregut, nëse zhvillohet në kushte të barabarta konkurrencave, për rrjedhojë ka firmosur dje me Qendrën e Regjistrimit të Biznesit për të pasur më shumë akses në marrjen e të dhënave. Aktualisht Autoriteti i Konkurrencës bashkëpunon me doganat dhe tatimet, falë marrëveshjeve të lidhura kohë më parë, ndërsa me QKR-në mendohet se informacioni do të jetë më i plotë dhe i shpejtë. Në tërësi, tregu shqiptar punon në kushte jo të plota konkurruese, ku në disa raste evidentohen shenja të kufizimit të çmimit, si pasojë e karteleve të krijuara nga firmat private. Drejtues të Autoritetit pohojnë se ekonomia shqiptare ka ende punë për të bërë në drejtim të garantimit të rregullave të lojës në treg.

Pakti

Marrëveshja u firmos dje në ambientet e Autoritetit të Konkurrencës, mes kryetares Lindita Milo (Lati) dhe drejtorit të QKR-së, Tomi Kola. Nënshkrimi i këtij memorandumi ka si qëllim shkëmbimin e informacionit për një zbatim sa më të mirë dhe efikas të ligjeve organike respektive dhe bazohet në të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në ligjin nr. 9121, datë 28.07.2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës", si dhe në zbatim të ligjit 9723 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Mësohet se qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi të ngushtë institucional është ulja reale e kostove të transaksioneve midis bizneseve.

Sipas memorandumit, palët do të bashkëpunojnë për të rritur eficencën e mbikëqyrjes së ndryshimeve në strukturat e tregjeve dhe mbikëqyrjen e efekteve reale të tyre në sjelljen e ndërmarrjeve në treg, duke synuar mbrojtjen e konkurrencës në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.07.2003 "Për mbrojtjen e Konkurrencës" (i ndryshuar), si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit dhe kulturës së konkurrencës. "Të dyja institucionet do të bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacionit, i cili ka të bëjë me regjistrimin e shoqërive që bashkohen, të shoqërive që përftojnë kontrollin e shoqërive të tjera, të çdo transaksioni që ndryshon strukturën e tregut si dhe të çdo informacioni tjetër që është i nevojshëm për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës", thuhet në marrëveshje.

Tregu

Mbikëqyrja në kohë reale e tregjeve për mbrojtjen e konkurrencës detyroi Autoritetin e Konkurrencës dhe QKR-në që të firmosnin marrëveshjen e bashkëpunimit. Gjatë vitit 2008, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi disa raste të shkeljes së ligjit "Për konkurrencën". Devijime të tregut, kufizime të çmimeve, si dhe raste të sjelljes monopol evidentohen më shumë në sektorët e karburanteve, telefonisë, prodhimit të bukës, ndërtimit dhe miellit. Prej kohësh, Autoriteti ka nisur hetimet në disa sektorë, ku më i rëndësishmi është tregu i bonove të thesarit.

Bizneset, 50 mijë

të regjistruar në QKR

Të dhënat e fundit të Qendrës së Regjistrimit Kombëtar të Bizneseve janë të vitit 2008 dhe tregojnë për rritje të aplikimit për regjistrim. Në 6-mujorin e parë të vitit 2008 janë regjistruar mbi 50 mijë subjekte private. Sa i takon bizneseve që janë çregjistruar, për tremujorin e parë 2009, rezultojnë 1900 subjekte, ku mbyllja e aktivitetit rezulton më i lartë në muajin mars.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›