E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionistët zhgënjehen nga rimbursimi i kartave të identitetit

Tejet të zhgënjyer kanë mbetur pensionistët kryeqytetas teksa kanë marrë rimbursimin e parave për kartat e tyre të identitetit.

Shumën prej një mijë lekësh të reja, ose rimbursimin e plotë kanë mundur ta përfitojnë vetëm ata të moshuar të cilët e kanë pagesën e pleqërisë nën masën 9500 lekë të reja në muaj. Ndërsa për të tjerët, që në muaj marrin diçka më shumë se kaq, nga shuma fillestare që kanë paguar për t‘u pajisur me këtë letërnjoftim elektronik kanë mundur të përfitojnë vetëm 4 mijë lekë rimbursim.

"Ne kemi dëgjuar Kryeministrin të thotë se nga 12 mijë lekë që bën karta, të gjithë ne pensionistët do ta merrnim atë vetëm me 2 mijë lekë", shprehet Anastasi, një i moshuar në njësinë numër 7 në kryeqytet. Reagime të ngjashme ka edhe mes shumë të moshuarve të tjerë që qëndrojnë në radhë përballë sporteleve të tërheqjes së pagesës së tyre modeste.

Nga ana tjetër, drejtuesit e këtyre pikave të shpërndarjes së pensioneve konfirmojnë faktin se janë duke zbatuar vetëm urdhrat që kanë nga drejtoria e tyre dhe nuk bëhet fjalë as për gabime dhe as për ndonjë korrupsion, sikundër janë akuzuar nga të moshuarit. Madje, për të informuar të gjithë pensionistët që u drejtohen këtyre sporteleve për të tërhequr pagesat e pleqërisë, janë afishuar edhe njoftimet përkatëse lidhur me vlerën e rimbursimit.

Në të vërtet, udhëzimet që Këshilli i Ministrave ka nxjerrë gjatë kësaj periudhe, lidhur me vlerën që do të ketë rimbursimi i letërnjoftimeve elektronike, kanë qenë të shumta. Kjo duket se ka shkaktuar edhe konfuzionin në moshat e treta, të cilët kanë pretenduar më shumë nga ky rimbursim i vlerës prej 1200 lekësh, me të cilën ata kanë blerë kuponët për kartat.

Një pjesë e të moshuarve pranon se nëse nuk do t‘i kishin kërcënuar me bllokimin e tërheqjes së pensionit, as do të ishin pajisur me karta. Por duket se nevoja për të marrë në kohë atë pak pagesë pas një jete të tërë në punë, i ka detyruar që të plotësojnë një detyrim të vendosur me sanksione nga ana e qeverisë së djathtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›