E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, kredi gjermane për mbrojtjen e mjedisit

Ambasadori gjerman ka vizituar dje qytetin e Elbasanit. Ai ka zhvilluar një bisedë kokë më kokë për rreth dy orë me kreun e Bashkisë së Elbasanit. Takimi i gjatë, pa praninë e mediave, mund të konsiderohet si vizitë kortezie, por e "veshur" edhe me interesin e qeverisë gjermane për futjen e investitorëve të këtij vendi në këtë qytet. I kontaktuar nga mediat në hollin e bashkisë, pas mbylljes së takimit, ambasadori gjerman ka sqaruar pikat kryesore të bashkëbisedimit që ka pasur me kryebashkiakun e Elbasanit. Sipas tij, ai dhe vendi që përfaqëson janë të interesuar për universitetin e këtij qyteti dhe në veçanti për degën e gjuhës gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

"Interesimi ynë mbetet që në shkollat nëntëvjeçare të këtij qyteti të futet gjuha gjermane, si një ndër gjuhët e huaja kryesore që mësojnë fëmijët shqiptarë", ka pohuar ai. Ndërkohë diplomati gjerman ka cekur më tepër problemin e ndotjes së mjedisit nga zona industriale e Metalurgjikut.

"Kemi rënë dakord me pushtetin vendor të Elbasanit që të arrihet një kreditim privat nga një bankë gjermane për Uzinën e Çelikut, me qëllim që të mos jetë kjo shkallë ndotjeje", ka shtuar ai.

Nga ana e tij, kreu i bashkisë, Sejdini, ka vlerësuar vizitën e mikut gjerman.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›