E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion kundër objekteve pa leje

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 16:12

Pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore, Inspektorati i ndërtimit i komunës së Prishtinës, të enjten ka nisur rrënimin e disa objekteve pa leje në “Veternik”, lagja “Qëndresa”.

Këto objekte kishin filluar të ndërtohen në javët në javën e parë të këtij muaji, edhe pse pronarët e tyre janë urdhëruar nga inspektorët e ndërtimit për ndërprerjen e punimeve, ata nuk i kanë përfillur kërkesat e inspektorëve.

Po ashtu sot është rrënuar edhe një ndërtim në rrugën kryesore në afërsi të objektit të “Grandstores”, objekt i cili ishte paaftësuar pas ndërhyrjes së inspektorëve të martën më 19 prill.

Pas rrënimeve të objekteve të parapara në këtë pjesë të qytetit, inspektorët e ndërtimit kanë vazhduar me rrënimin e disa ndërtimeve tjera pa leje në lagjen “Mat”.

Ekzekutimin e rrënimeve e ka bërë kompania “Dardania” kontraktuar nga komuna, nën asistencë të Policisë së Kosovës (PK-së). Gjatë rrënimit nuk është shënuar asnjë ekses.

Rrënimi i ndërtimeve pa leje do të vazhdojë edhe nesër nga ora 10:00, ku janë planifikuar të rrënohen edhe shtatë objekte, kryesisht në themele, në “Veternik”, lagja “Qëndresa”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›