E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion në Lazarat, policia bllokon 500 kg hashash

 

GJIROKASTER - Një sasi prej 500 kilogramë hashash i prodhuar në Lazarat me destinacion Greqinë është bllokuar mëngjesin e djeshëm nga policia. Bima narkotike e dyshuar si marihuanë, është sekuestruar dje në orën 05:00 të mëngjesit në dalje të Lazaratit të Gjirokastrës gjatë një operacioni të koduar “Darka jashtë”. Operacioni i organizuar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe policinë e Gjirokastrës vuri në pranga dy persona, xhaxhain dhe nipin, për trafik lëndësh narkotike. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se gjatë këtij operacioni u arrestuan Beqir Avdyli, 44 vjeç dhe nipi i tij 27-vjeçar, Hasan Avdyli, të dy lindur dhe banues në Lazarat. Të njëjtat burime thanë se një pjesë e bimës narkotike është sekuestruar në furgonin me targa GJ 7320 A, e bërë gati për t’u trafikuar dhe pjesa tjetër në magazinën e Beqir Avdylit. Nga hetimet dyshohet se hashashi ka qenë i destinuar për trafik jashtë territorit shqiptarë, kryesisht në Greqi. Ndaj dy të arrestuarve rëndon akuza ”trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim dhe ata do të hetohen nga Prokuroria e Krime të Rënda. Hetimet 2-mujore të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë finalizuar mëngjesin e djeshëm me bllokimin e 500 kilogramëve bimë narkotike dhe arrestimin e 2 personave. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se Hasan Avdyli dhe nipi i tij Beqir Avdyli kishin kultivuar vetë bimën narkotike dhe e kishin ndarë në pako, me qëllim trafikimin drejt Greqisë. Një pjesë e bimës është kapur në fugonin e dy të arrestuarve, në dalje të fshatit Lazarat. Ndërkohë pas arrestimit të tyre, policia ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në banesat e tyre në fshat e më pas në magazinën e Beqir Avdylit, ku është gjetur pjesa tjetër e bimës narkotike. Sipas të njëjtave burime mësohet se pjesa tjetër që është gjetur në magazinë, ishte planifikuar që të transportohej në një rrugë të dytë drejt Greqisë, pasi të kishte mbërritur pjesa që u gjet në furgon. Ndërkohë, hetimet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi dyshohet se në këtë rrjet trafiku mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë të familjes Avdyli, apo edhe miq të tyre. Ndërkohë, përveç akuzës së trafikut të lëndëve narkotike, për të cilën personat e arrestuar do të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dosjes hetimore mund t’i shtohet edhe akuza e kultivimit të bimëve narkotike.              e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›