E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, aleatët jashtë listës së PD

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike nis bisedimet me aleatët për mënyrën se si koalicioni i djathtë do të dalë në zgjedhjet e 28 qershorit. Prej pak ditësh zyrtarët e lartë të kësaj partie janë duke zhvilluar takime fillimisht me partitë që ende janë në qeveri dhe pjesë e qeverisë, për të përgatitur marrëveshjet që do të firmosen pak para zgjedhore dhe që do të zyrtarizojnë koalicionin. Burime pranë selisë blu bënë të ditur për gazetën se qëndrimi i PD-së është i qartë për sa i përket mënyrës se si koalicioni do të kërkojë votat e elektoratit për një mandat të dytë qeveritar. Bëhet e ditur se të gjitha forcat politike të krahut të djathtë do të dalin me listë më vete, çka hedh poshtë zërat se partitë e vogla të krahut të djathtë do të kenë emrat e tyre në listën e PD-së, për të pasur vende të sigurta në parlament. Gjithashtu nga këto bisedime të para mësohet se forma e koalicionit do të jetë ajo e përbërë, pra për të bërë të mundur që asnjë votë e djathtë të mos shkojë dëm. Ndërkohë veç partive që tani janë pjesë e qeverisë së Kryeministrit Berisha, ftesë do të ketë edhe për parti të tjera. Deri tani është konfirmuar koalicioni me Partinë Republikane të Fatmir Mediut, Partinë Agrare Ambientaliste të Lufter Xhuvelit, si dhe Partinë Aleanca Demokratike të Neritan Cekës. Një gjë e tillë duket se do të ndodhë edhe me Partinë Lëvizja e Legalitetit, kryetari i së cilës, Ekrem Spahia mban postin e zv.ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe PBLD-në e Starovës. Por burimet bëjnë të ditur se zyrtarët e lartë të PD-së mund t’i bëjnë nga një ftesë edhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit dhe Partisë Demokristiane të Nard Ndokës. Këto dy të fundit prej disa javësh janë në bisedime mes tyre dhe me Partinë për Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës për të krijuar Polin e Lirisë, një koalicion me forca politike të cilat nuk janë bashkuar me mënyrën se si ka qeverisur vendin Partia Demokratike në këto katër vjet. Mënyra se si PD-ja do të bashkëpunojë me aleatët në zgjedhjet e 28 qershorit i ka shkaktuar disa herë debate grupit parlamentar të kësaj force. Në një nga mbledhjet e muajit tetor të vitit të kaluar deputeti Bujar Leskaj kërkoi nga Kryeministri Berisha që ndryshimet e miratuara të sistemit elektoral të mos pësojnë arnime të tjera që do të prishin në thelb sistemin. Sipas tij, partitë aleate po kërkojnë që të rikthejnë sërish sistemin e “Dushkut”, duke tentuar të fusin emrat në listat e demokratëve. “Ne kur votuam ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kuvend e votuam për të shmangur sistemin e “Dushkut”, që u vërejt në zgjedhjet e mëparshme. Kryetarët e partive të vogla po bëjnë presion që ta dushkarizojnë këtë ndryshim të miratuar në Kuvend, duke dashur të fusin emrat në listën tonë. As Ndoka, as Godo, as Mediu, as Pollo nuk kanë të drejtë të bëjnë presion mbi koalicionin”, deklaroi në atë kohë Leskaj. Nga ana e tij Kryeministri Berisha e përkrahu në parim kërkesën e deputetit demokrat, por ka shtuar se do të vlerësohen edhe marrëdhëniet me partitë aleate. Kreu i qeverisë ka shmangur deri tani me çdo formë takimin me aleatët për të diskutuar mënyrën se si koalicioni do të dalë në zgjedhje, e cila duket se do të vendoset në momentet e fundit.

Koalicioni i djathtë

Të sigurt
    PD
    PR
    PAA
    PAD
    PBLD
    PLL

Ftesa për
    LZHK
    PDK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›