Kriza e ndërtimit, Ministria: Nuk do t’i prekim tatimet
Fabiola Çela
Nuk do të ketë ulje të TVSH për sektorin e ndërtimit. Ky është reagimi i Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe të Telekomunikacionit pas kërkesës së ndërtuesve, për të ulur nivelin e taksës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Madje në deklaratën e tyre, zyrtarë të kësaj ministrie kanë theksuar se ndërtuesit duhet të heqin dorë nga çmimet e larta të shitjes.
Reagimi
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Punëve Publike ka theksuar se qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar sektorin e ndërtimit. “Për të ndihmuar sektorin e ndërtimit, qeveria aktuale shfuqizoi marrëveshjet e trashëguara nga qeveritë e mëparshme dhe hoqi aplikimin e TVSH-së për shitjet, por qeveria e fton sektorin e ndërtimit që të heqë dorë nga çmimet stratosferike të shitjes dhe të aplikojë çmime me një normë fitimi të arsyeshme”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie. Përveç kësaj, qeveria po përgatit kuadrin administrativ për mbulimin 100% të interesave të kredive për 6000 apartamente, 3200 të destinuara për familjet që banojnë në apartamentet e ish-pronarëve dhe pjesa tjetër për familjet që kanë statusin e të pastrehurit si dhe po aplikon programin e banesave sociale me qira për 1100 apartamente, program që është në vazhdim. Sipas kësaj ministrie, një ndihmë e konsiderueshme dhënë këtij sektori është rritja më së paku me 8 herë, krahasuar me qeveritë e mëparshme e financimeve për punët publike në infrastrukturë. “Jo vetëm kaq por rritja e pragut për tenderët ndërkombëtarë nga 200 milionë që ka qenë më parë, në 1 miliardë e 200 milionë është një ndihmesë e madhe për sektorin e ndërtimit sikurse dhe vlerësim i kapaciteteve të këtij sektori për të kryer punë”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Madje zyrtarët e ministrisë u rekomanduan ndërtuesve dhe jo vetëm atyre të infrastrukturës por edhe të apartamenteve, që të rishikojnë çmimet e tyre të shitjes, të cilat duhet të jenë më të arsyeshme për të qenë më afër mundësive të qytetarëve. Ndërtimi është një ndër sektorët më kryesorë të ekonomisë. Aktualisht niveli i taksës së TVSH-së është 20 për qind, por ndërtuesit kanë kërkuar që qeveria të ndërhyjë për të kryer një diferencim të nivelit të tatimit të vlerës së shtuar. Një kërkesë e tillë është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve Publike. Në fakt edhe ndërkombëtarët janë pozicionuar gjithnjë kundër uljes së taksës së TVSH-së.
Ndërtuesit: Jemi në krizë, qeveria të ulë TVSH-në
Ndërtuesit kanë deklaruar se gjenden në një situatë të vështirë financiare, si pasojë e krizës ekonomike. Për kapërcimin e një situate të tillë, ndërtuesit i kanë kërkuar qeverisë që të bashkëpunojë më ta për hartimin e një plani antikrizë. Madje ata i kanë propozuar qeverisë edhe disa masa konkrete. Konkretisht, sipas tyre, sektori i ndërtimit është prekur nga kriza globale financiare. Për rrjedhojë në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2008 nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro, pra nuk kanë punuar mbi 600 shoqëri nga rreth 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi. Përballë një situatë të tillë, ndërtuesit i kanë kërkuar qeverisë që të marrë masa për nxitjen e rritjes së konsumit, nëpërmjet gjallërimit të kredive të buta për shtresat në nevojë për strehim, për familjet e reja apo për qëllime të tjera. Ata kanë ripërsëritur edhe një herë kërkesën e tyre për uljen e taksës së TVSH-së. “Ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH-së, duke e ulur atë për mallrat jetike të konsumit të gjerë e ndërtimin dhe duke e rritur për mallrat e luksit, për mallrat që dëmtojnë shëndetin dhe ndotin ambientin”, kanë deklaruar ndërtuesit. Ndërsa lidhur me dhënien e kredive nga bankat, ndërtuesit janë shprehur se bankat kanë tkurrur kreditimin për këtë sektor të ekonomisë. “Problemet aktuale në kreditim kanë venë në vështirësi serioze sektorin e ndërtimit”, kanë thënë ndërtuesit. Miratimi sa më i parë i planeve rregulluese të qyteteve ka qenë një tjetër kërkesë e ndërtuesve.