Vasili: Berisha të vijë urgjentisht në debat për krizën
LSI i kërkoi sërisht dje kryeministrit Berisha të paraqitet në Kuvend dhe ti përgjigjet kërkesës për mocion me debat të depozituar nga kjo forcë për krizën ekonomike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha dje se “Sali Berisha duhet të vijë urgjentisht në Kuvend në mocionin për debat dhe të sqarojë këtë moment të rrezikshëm dhe tepër delikat për të sotmen dhe të ardhmen e ekonomisë shqiptare”. Sipas tij, kryeministri flet për masa të marra vite më parë dhe këtu e tejkalon vërtetë masën se na del që Shqipëria u njoh me krizën dhe e zgjidhi atë përpara Amerikës dhe Europës. “E njëjta papërgjegjshmëri po shfaqet nga Berisha dhe të tijtë si në 1996 kur kriza ishte fakt i kryer dhe ajo mohohej me forcë nga Berisha. Sot Shqipëria dhe ekonomia e saj kanë nevojë për masa konkrete dhe një plan antikrizë të qartë dhe urgjent. Kryeministri shqiptar duhet të pranojë publikisht që ai dhe qeveria e tij janë të paaftë që të hartojnë një plan të tillë”, tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm Vasili u shpreh se “LSI ka bërë publik planin e saj antikrizë dhe është në të mirë të vendit që të mos humbet më asnjë sekondë kohë për miratimin e zbatimin e tij përpara se të jetë shumë vonë”. Duke sjellë në vëmendje elementët e krizës ekonomike që po shfaqet në vend, Vasili tha se “pas bërjes publike të krizës nga fasonistët, një sektor ku kanë qenë të punësuar rreth 100 mijë njerëz dhe humbjes së punës së mijëra prej tyre tashmë edhe sektori i ndërtimit pohon krizën e rëndë ku ka hyrë vendi, qeveria duhet të veprojë shpejt për të ulur efektet shkatërruese të krizës.