Sekuestrohen 2.6 kile kokainë
Etleva Delia
Një aksion i rastësishëm i policisë i filluar në Lezhë dhe i finalizuar në Tiranë ka zbuluar dhe bllokuar 2 kilogramë e 624 gramë kokainë, duke arrestuar trafikantin që po transportonte lëndën narkotike. Eduart Çela është zbuluar nga policia teksa nuk i ka ndaluar Policisë Rrugore në Lezhë, kur i kanë bërë shenjë që të ndalonte. Menjëherë dy makina policie i janë vënë nga pas, duke lajmëruar edhe postblloqet e tjera në autostradë. I riu nga Kruja ka arritur të ndalohet vetëm nga një grup policësh në hyrje të Tiranës. Gjatë kontrollit në bagazhin e makinës, atij i është gjetur lënda narkotike e ndarë në 5 pako. Burime nga policia bënë të ditur se droga dyshohet se ka ardhur nga Mali i Zi dhe kishte si destinacion tregun e kryeqytetit. Bëhet e ditur gjithashtu se Çela, gjatë natës duke gdhirë e diela ka udhëtuar me makinën e tij të markës “Kia” tip “Sportage” me targe DR 9182 D, nga Shkodra në drejtim të kryeqytetit. Sipas policisë vlera e drogës së sekuestruar kap vlerën e 250 mijë eurove. Ndërkohë, tashmë është dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve.
AKSIONI
Nëse do i kishte ndaluar Policisë Rrugore në Lezhë, mbase mund të kishte shmangur policinë në Tiranë, që i zbuloi lëndën e fortë narkotike. Por ka preferuar shmangien nga rrugorja dhe është ndalur nga policia e Tiranës, të cilët kanë gjetur në automjetin që drejtonte Eduart Çela një sasi prej 2 kilogramë e 624 gram lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se Eduart Çela, 39 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, u arrestua mbrëmjen e së shtunës në hyrje të kryeqytetit, pasi me automjetin e tij, me targë DR 9182 D, po transportonte një sasi prej rreth 2.6 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë. Sipas të njëjtave burime, lënda narkotike ishte e ndarë dhe paketuar në 5 pako, e destinuar për shitje. Mësohet se në cilësinë e provës materiale, policia ka bllokuar 3 aparate telefoni celularë, një shumë prej 36 mijë lekësh dhe 900 euro si dhe mjetin tip “Kia Sportage” me targe DR 9182 D. 39-vjeçari Çela, sipas policisë, do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, për trafik lëndësh narkotike. Sipas hetimeve paraprake Çela ishte nisur nga Shkodra në drejtim të Tiranës dhe kokaina dyshohet se ka ardhur nga Mali i Zi. Ndërkohë ende nuk janë zbuluar personat që mund të kenë qenë në pritje të mallit, që po transportonte 39-vjeçari.