E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion për spastrimin e rrugëve nga lypësit

17/03/2009  Prej një jave blutë e kryeqytetit vijojnë të shoqërojnë “pushtuesit” e rrugëve

Në hetim edhe personat që i shfrytëzojnë për qëllime përfitimi

TIRANË- Rënia e fluksit të lypësve në rrugë, sidomos ditëve të fundit, është meritë e një aksioni të fuqishëm që policia e Tiranës ka ndërmarrë ndaj tyre. Burime të mirinformuara pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës konfirmuan dje për gazetën “Metropol” se prej një jave vijon operacioni i heshtur për të spastruar kryeqytetin nga lypësit. Ende s’ka një statistikë të qartë të personave që janë shoqëruar, por mendohet se rreth 50 prej tyre i janë nënshtruar dërgimit në të gjitha komisariatet e Tiranës e më pas janë lënë të lirë pas 8 orësh. Kjo taktikë ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e këtij operacioni të pazakontë, pasi lypësit e lodhur psikologjikisht nga të gjitha këto procedura, kanë vendosur që të paktën për disa kohë të mos rishfaqen më në rrugë. Një pjesë e mirë e këtyre lypësve kanë ardhur në Tiranë nga rrethe të ndryshme të vendit si Elbasani, Shkodra e Korça dhe pas shoqërimit në polici ata janë detyruar të kthehen sërish në vendet e tyre. Të njëjtat burime policore thanë se fillimisht operacioni ka nisur për të vënë në pranga personat që shfrytëzojnë fëmijët si lypës dhe më tej aksioni është shtrirë edhe tek vetë lypësit, të cilëve fillimisht u është kërkuar të largohen me vullnetin e tyre. Sakaq mësohet se aksioni është në përfundim e sipër dhe pritet që në ditët në vijim të përfundojë me sukses. Disa nga shfrytëzuesit e lypësve (kryesisht kjo kategori lypësish e shfrytëzuesish i përkasin komunitetit rom), janë identifikuar nga policia dhe pritet që së shpejti të vihen në pranga. Zonat ku janë ushtruar më tepër kontrolle dhe shoqërime janë sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe pjesë të tjera ku së fundmi është vënë re dyndja e lypsarëve. Edhe pse ky aksion për spastrimin e rrugëve nga lypësit është në vazhdim e sipër, disa prej tyre i janë rikthyer sërish zanatit të tyre të vjetër. Policia kishte parashikuar që sot ky aksion të përfundonte, ndërsa ende s’dihen hapat që do të ndërmerren.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›