E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurte kronika

17/03/2009  Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë

Kërcënimi me pengmarrje, hetohen dy autorët

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 104, ku të pandehur janë dy shtetasit A. E. dhe S. E. nga Kukësi, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Nga hetimet e kryera rezulton se në kallëzimin e shtetasit K. E. në datë 11.11.2008 rreth orës 06.30 min të mëngjesit ka dëgjuar disa të trokitura të forta në derën e banesës së tij. Më vonë rreth orës 07.30 min të po asaj dite kallëzuesi kur doli nga banesa për të shkuar në punë, ka konstatuar se në pragun e derës së banesës së tij gjendej një letër e hapur dhe e shkruar. Brenda në banesë së bashku me gruan Lumturien kanë lexuar letrën. Në letër ndër të tjera ishte shkruar se në datë 12.11.2008 ai duhej të dorëzonte një shumë prej 700 mijë lekësh, në të kundërt do t’i merreshin peng fëmijët dhe do t’i vendosej eksploziv banesës së tij. Në letër përshkruhej dhe vendi ku kallëzuesi duhet të dorëzonte lekët. Nga verifikimet e kryera nga policia rezultoi se autorë të saj janë A. E. dhe S E. që të dy nënë e bir. Menjëherë pas këtij konstatimi policia ndaloi të sipërcituarit, të cilët më pas pranuan krimin e bërë.

E. Qyno

Pranga në Elbasan 28-vjeçarit

Tentoi të vriste, kapet në Ditën e Verës

ELBASAN- Një i ri është vënë në pranga, i shpallur në kërkim rreth dy muaj më parë pasi kishte tentuar të vriste një bashkëqytetar. Kështu, 28-vjeçari Urim Kuka kishte marrë masën arrest me burg në mungesë nga gjykata Elbasan, pasi akuzohej se më 12 janar të këtij viti ka tentuar të vrasë shtetasin Shpresim Beluli, 20 vjeç, lindur e banues në lagjen “Skëndërbej”. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja mes dy të rinjve ka ardhur pas një konflikti mes tyre dhe 20-vjeçari ka mundur t’i shpëtojë vdekjes nga goditja me thikë. Ngjarja është konsideruar e rëndë, por prej kohësh Kuka kishte mundur t’i shpëtonte policisë duke u fshehur. Ai ka ardhur në shtëpi për Ditën e Verës dhe kaq ka mjaftuar që të përfundojnë në pranga. 28-vjeçari do të përgjigjet për veprën penale “vrasje e mbetur në tentative”. Gjatë ditëve të festave grupe agjentësh kanë si objektiv kryesor kapjen e personave në kërkim. Kjo bëhet sidomos për ata persona që dihet se janë në emigracion, por kthehen pranë familjeve në kohë festash.

L. Lleshi

Kapet në Durrës 23-vjeçari Brucaj

Droga, bie në pranga shpërndarësi në gjimnaze

DURRËS- Dje në mëngjes u prangos Enver Brucaj, pasi ai është akuzuar për shpërndarje droge. Gjatë kontrollit fizik të të riut 23-vjeçar agjentët e sektorit të luftës kundër drogës kanë gjetur të fshehur disa porcione droge e llojit heroinë. Paraprakisht polica mendon se Brucaj është një nga anëtarët e grupit të shpërndarësve të lëndëve narkotike në mjedise të tilla si pranë shkollave, në disko, pub-e, restorante dhe në Plazh. Shtetasi i arrestuar është investiguar, sipas policisë, për një periudhë relativisht të gjatë kohe deri sa është kapur në flagrancë duke nxjerrë nga xhepi drogën për shitje. Ka qenë një agjent i policisë që i është afruar të riut banues në lagjen numër 12 dhe i ka kërkuar drogë duke ofruar edhe paratë. Agjenti i Antidrogës duket se ka njohur më parë kodin e personave të këtij lloj tregu dhe kjo ka qenë arsye që Enver Brucaj nuk ka kuptuar dot kurthin e ngritur. Në kohën që punonjësi i policisë është bindur se 23-vjeçari kishte drogë në xhepa, atëherë e ka bllokuar të riun në vend, ndërkohë që fare pranë tij kanë qenë agjentë të tjerë civil, duke mos i dhënë shkas 23-vjeçarit të largohet. Pas izolimit të tij është ushtruar kontroll banese, por policia nuk ka deklaruar nëse ka gjetur edhe atje drogë apo jo. Nga të dhënat e para mësohet se ky shtetas është konsumator droge dhe prej disa kohësh ishte përfshirë në rrjetin e shpërndarësve. Droga është shndërruar në një fenomen shumë problematik për policinë pasi është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve, të cilët janë jo vetëm të rinj, por edhe të mitur.

Xh. Gradica

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›