Operacioni “Pranvera” prangos 3 trafikantë klandestinësh
Tre persona janë ndaluar dje nga policia e Korçës, pasi u kapën duke ndihmuar kalimin klandestin në mënyrë të paligjshme të pesë personave, kundrejt përfitimit prej 6 mijë eurove. Në prangat e uniformave blu ranë 26-vjeçarja Lule Hamzallari, Ylli Palla, 47 vjeç dhe Florian Martaneshi, 24 vjeç. Pas kryerjes së hetimeve nga agjentët e policisë, sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, u krye operacioni i koduar policor “Pranvera”. Sipas burimeve, ndërmjet pesë klandestinëve, dy prej tyre ishin të mitur. Për 26-vjeçaren, policia vendosi ndjekjen penale në gjendje të lirë, ndërsa dy meshkujt u vunë nën arrest me burg. Që të tre këta persona akuzohen për kryerjen e veprës penale të “ndihmës së kalimit të paligjshëm të kufirit”.
Ngjarja
Nga hetimi i kryer nga agjentët rezultoi se rreth orës 01.20 të ditës së djeshme, të tre personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin po u jepnin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në drejtim të shtetit grek nga zona e rrethit Devoll pesë shtetasve nga rrethet Lushnjë dhe Tiranë, nga të cilët dy të mitur, në këmbim të një shume prej 6000 eurosh. Sipas policisë, personat që do të ndihmoheshin për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme janë kapur në banesën e shtetasit Ylli Palla në fshatin Koshnicë, në Devoll. Nga të dhënat e para të grupit hetimor, mësohet se pesë klandestinët, mes të cilëve dhe dy fëmijë, ishin transportuar nga Pogradeci nga 26-vjeçarja Lule Hamzallari me mjetin e saj të markës “Benz” me targë DV 1410 A dhe në banesë i priste veç Ylli Pallës, edhe 24-vjeçari Florian Martaneshi. Policia tha se është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 700 eurosh, si dhe mjeti me targë DV 1410 A. Policia ushtroi kontroll në banesën e 47-vjeçarit ku dhe gjeti të paketuar në një qese plastike sasinë prej 1.6 gram bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Ndaj Ylli Pallës janë bërë veprimet procedurale përkatëse për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Hetimi
Nga hetimet e kryera nga policia rezultoi se pasi gjendeshin klandestinët nga rrethe të ndryshme të vendit, ata transportoheshin nga 26-vjeçarja në Koshnicë, në pritje për t’u organizuar dhe për t’u dërguar më pas nga ana tjetër e kufirit grek. Sipas burimeve nga policia, ka edhe persona të tjerë të cilët bëjnë pjesë në grupin e trafikantëve. Grupi hetimor ka sekuestruar telefonat e personave të ndaluar dhe arrestuar, me qëllim zbardhjen e rrjetit dhe personave që janë implikuar në rekrutimin e klandestinëve nga qytete apo fshatra të ndryshme në vend. Sipas burimeve nga policia, operacioni i koduar “Pranvera” do të vazhdojë, për të vënë në pranga persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafiqeve njerëzore. Dy personat e arrestuar janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Së bashku me Lule Hamzallarin, ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “ndihmës së paligjshme të kalimit të kufirit”.
Detaj
6 mijë euro do të merrnin të arrestuarit në këmbim të kalimit të pesë klandestinëve matanë kufirit grek
U ndaluan
Lule Hamzallari, 26 vjeçe, e cila po hetohet në gjendje të lirë
Ylli Palla, 47 vjeç, u arrestua
Florian Martaneshi, 24 vjeç, u arrestua