Nishani: Luftë aktiviteteve ilegale, trafikimit dhe kontrabandës
Ministria e Brendshme dhe OSBE-ja bashkëorganizojnë në Tiranë për dy ditë me radhë, dje dhe sot, Konferencën II Përgatitore të Forumit të 17-të të OSBE-së për Ekonominë dhe Mjedisin. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në takim, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, vuri theksin te përmirësimi i kanaleve për migrimin legal dhe reduktimin e migrimit ilegal, ky i fundit, duke u luftuar të gjitha llojet e trafikimit e kontrabandës, të realizuara nga rrjete kriminale. Më tej, në fjalën e tij, ministri u ndal tek tema kryesore e menaxhimit të migrimit dhe lidhja e tij me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore. Ai u shpreh se kjo është një nga çështjet më me interes të lartë për rajonin dhe Shqipërinë, e cila ndër vite ka përballur dhe vazhdon të përballë sfidat e migracionit, duke krijuar edhe një eksperiencë të fortë, e cila na ka mësuar se migracioni është një problem kompleks dhe shumëdimensional. “Aktivitetet ilegale, si dhe të gjitha llojet e trafikimit e kontrabandës, të realizuara nga rrjete kriminale, duhen atakuar vendosmërisht. Përmirësimi i kanaleve për migrimin legal dhe reduktimi i migrimit ilegal do të luftonte të gjitha aktivitetet ilegale të lidhura me këtë fenomen. Në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm do të luante realizimi i një menaxhimi efektiv të përbashkët të kufijve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. Në këtë kuadër, Shqipëria ka në zbatim strategjinë dhe planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve, përfshirë kërkesat e ligjit të ri për Policinë e Shtetit”, - theksoi Nishani. Ministri i Brendshëm nënvizoi edhe nevojën për ndërtimin e politikave dhe mekanizmave të përbashkët për menaxhimin e kufijve, sistemet e të dhënave dhe problemet sociale që lidhen me migrimin, në mënyrë që të arrihet në vlerësime të sakta të realitetit ekonomik, përfshirë parashikimet për nevojat e tregut të punës.
“Ne duhet të adaptojmë një përqasje gjithëpërfshirëse, shumëdimensionale dhe bashkëkohore dhe gjithmonë të përgjegjshme përkundrejt sfidave aktuale. Kjo përqasje duhet të ketë në themel të saj të drejtat dhe mbrojtjen e migrantëve. Kjo do të bënte të mënjanonim në kohën e duhur pasoja të pritshme negative të menaxhimit joefektiv të migracionit”, - vazhdoi ai.
Konferencën e përshëndeti ndërkohë edhe Alexandros Tziatzamis, sekretar për programet ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, vendi kryesues i OSBE-së, si dhe Goran Svilanovic, koordinator i OSBE-së për aktivitetet mbi ekonominë dhe mjedisin. Tziatzamis dhe Svilanovic u ndalën në ndikimin e krizës së ekonomisë globale tek migracioni dhe nga ana tjetër, ndikimin e kthimit të migrantëve në vendet e tyre në rritjen e numrit të papunësisë. Ata theksuan nevojën e hartimit të politikave të përbashkëta për gjetjen e zgjidhjeve dhe zbutjen e problematikës lidhur me këto çështje. Konferenca e radhës dhe kryesorja e OSBE-së për ekonominë dhe mjedisin do të mbahet në muajin maj në Athinë, Greqi. Në konferencë marrin pjesë rreth 170 përfaqësues nga 69 vende, si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Ambasadori i OSBE-së për krizën
Në të njëjtën linjë qëndroi në fjalën e tij edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i cili theksoi se gjetja e politikave të përshtatshme të përbashkëta do të ndihmojë në menaxhimin e impakteve negative të krizës ekonomike globale dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendeve burim të migracionit. “Efektet e kësaj krize botërore për shumë vende me të ardhura të ulëta, si Shqipëria, tashmë kanë filluar të ndihen pak nga pak. Sipas të dhënave, del se në vitin 2008, dërgesat e emigrantëve shqiptarë ishin 700 milionë euro, një burim mjaft i rëndësishëm për vendin. Por, për shkak të krizës, tendenca e tyre është në rënie, madje disa emigrantë edhe mund të kthehen në shtëpi. Këto janë efekte që duhen marrë parasysh, pasi këto ngjarje nuk mund të kenë tjetër përveçse pasoja negative në mirëqenien sociale. Për më tepër, ne të gjithë e dimë se në kohë krizash, ka një rrezik më të lartë për rritjen e krimit dhe trafiqeve, çka mund të sjellë edhe përkeqësimin e sigurisë”, - u shpreh ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch.