Aksionet shtetërore dalin të gjitha në shitje, privatizim edhe stadiumeve
Rreth 280 objekte nga më shumë se 2000 asete shtetërore që do të privatizohen janë gati për t’u shitur. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, tha dje se kjo listë po shtohet dita ditës edhe me objekte të tjera. "Ne kemi hapur për privatizim afërsisht 280 asete të ndryshme. Ne nga dita në ditë jemi duke marr nga dikasteret kryesore të vendit, nga ministritë apo institucionet e tjera asete të reja që do të hyjnë në proces privatizimi. Jo më larg se dje ka ardhur nga Ministria e Kulturës një listë tjetër ku përfshihej stadiumi 'Qemal Stafa', stadiumi 'Asllan Rusi'. Pra, asete të tjera me vlerë që i shtohen privatizimit. Nga ministria e Mbrojtjes më ka ardhur një listë asetesh të tjera të ministrisë së Mbrojtjes, pallate oficerash, reparte në zona shumë të mira, me vlera të rëndësishme",- deklaroi Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Qeveria synon të nxjerrë në treg për shitje brenda vitit “Albpetrolin” dhe aksionet shtetërore të kompanive strategjike. "Albpetrol, Albtelekom, ARMO, INSIG do të tentohen të bëhen brenda vitit. Këto janë asetet më të dukshme, pastaj ka prona pa fund në vende të ndryshme të Shqipërisë, përfshi Tiranën, zonën rreth Tiranës, në bregdet. Ne deri tani i kemi dhënë prioritet kërkesave që kanë ardhur nga pronarët, në qoftë se ka pronar apo ish pronar të aseteve shtetërore. Deri tani 100 për qind kërkesat që kanë ardhur nga pronarët janë futur në proces privatizimi",- tha Prifti.
Prifti thirrje investitorëve gjermanë: “Ejani investoni te ne”
Nëse në nivelet politike marrëdhëniet ekzistuese mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë shumë të mira, kështu do të donim që ato të ishin edhe në anën ekonomike. Një fakt të tillë e ka bërë publik dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një tryeze që po mbahej nga Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë. “Rreth 20 për qind në vit ka qenë rritje e shkëmbimeve me Gjermaninë vitet e fundit, realisht më shumë nga sa është ai i rritjes ekonomike dhe kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, por gjithsesi, duhet të kërkohen shkëmbime më të larta mes dy vendeve tona”,- tha Prifti.
Duke bërë më pas me dije se investitorët gjermanë duhet të jenë të interesuar për të investuar në Shqipëri, pasi këtu gjejnë një vend me moshën e popullsisë më të re në Evropë dhe që kushton më pak se kudo si krah i lirë pune. Duke përmendur edhe kualifikimin e popullatës shqiptare, ai tha se për këta investitorë do të ishte me leverdi që të investonin në vendin tonë. “Për një biznes gjerman që është i interesuar në fushën e fasonëve, atë me material të porositësit, Shqipëria paraqet më shumë interes se Kina se ajo përveçse është shumë larg, ka edhe taksa importi dhe eksporti që vendi ynë nuk i ka”,- bëri me dije ministri Prifti.
Elbasan, përurohet sistemi i ri i kompjuterizuar i taksave
Bashkia e Elbasanit dhe Gramshit përuruan dje një sistem të ri të kompjuterizuar të taksave vendore në të dyja qytetet. Sistemet e programit që u zhvilluan nëpërmjet programit të USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA), mundësojnë një administrim më të efektshëm dhe më efikase të vjeljes së taksave dhe ofrimit të shërbimeve që do të rezultojnë në të ardhura më të mëdha nga taksat për bashkitë dhe në shërbime më të mira për qytetarët. Deri tani, departamenti i taksave në bashkitë e Elbasanit dhe Gramshit i kryente funksionet në mënyrë manuale. Me sistemin e ri të kompjuterizuar, departamenti i taksave do të ulë kohën që duhet për të llogaritur saktësisht detyrimet tatimore dhe evidentojnë pagesat e taksave. Sistemi gjithashtu lejon zyrtaret e urbanistikes të hartojnë raporte të rëndësishme si dhe të analizojnë të ardhurat nga taksat për planifikimin dhe zhvillimin e qytetit në të ardhmen. Deri tani, LGPA/USAID ka përuruar në 8 bashki sistemet e reja të kompjuterizuara të taksave vendore, që përfshijnë bashkitë e Lezhës, Fierit, Fushë-Krujës, Korçës, Pogradecit, Shkodrës, Elbasanit dhe Gramshit. Në total, mbështetja e USAID-it për kompjuterizimin e drejtorive të Tatim-Taksave shkon në shumën mbi 370 milion lekë në 10 departamente të taksave të bashkive.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 16.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.15%
12M 12-mujor 6.92%
6M 6-mujor 6.09%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.14%
1Ë njëjavor 4.94%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.68%
1Ë njëjavor 6.33%
o/n njëditor 5.90%
12M 12-mujor 8.75%
6M 6-mujor 7.82%
3M 3-mujor 7.04%
18 Qershor 2010