E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensioni i minatorit, 3000 të tillë humbasin të drejtën e përfitimit në Pogradec



Ervin KOÇI

Prisnin pensionin, por janë përjashtuar nga skema. Ky ka qenë fati i mbi 3 mijë minatorëve të minierave të Pogradecit, të cilët akoma nuk e kanë përfituar pensionin e pleqërisë në bazë të ligjit të ri. Vetëm një nga 3000 ish-minatorët në zonën e Pogradecit përfitoi nga vendimi i fundit i Këshillit të Punës lidhur me pensionet e minatorëve. Sistemi i ri, që sipas kritereve njeh përfitimin e pagës së plotë të pensionit vetëm për ata ish-minatorë që aktualisht janë në marrëdhënie pune në këtë sektor, ka përjashtuar të gjithë ish-punonjësit e minierave të zonës, për faktin se aktualisht vetëm një prej tyre është në gjendje pune. Kjo ka sjellë reagimin e Sindikatës së ish-Minatorëve në Pogradec, pasi janë 3000 ish-punonjës të minierave që ngelën jashtë skemës përfituese pas mbylljes së minierave që nuk janë më në funksion, për më tepër në kushtet kur pjesa më e madhe e atyre që kanë punuar në miniera nuk janë të aftë për punë. Sipas kreut të Sindikatës së Minatorëve, Llazi Gërxhalli, vendimi është i kontestueshëm, pasi përjashton automatikisht të gjithë minatorët e zonës dhe nga verifikimet vetëm një nga këta punonjës i plotëson kushtet, për faktin se është i punësuar në të njëjtin sektor pas privatizimit.

Reagimi
Kreu i Sindikatës së Minatorëve,Gërxhalliu tha se ish-minatorët nuk i plotësojnë dot vitet e punës dhe nuk janë në gjendje për të punuar ende për shkak të moshës dhe problemeve me shëndetin. Nga ana e Sindikatës së Minatorëve po hartohet një peticion me firma për të njohur rritjen e pagesës së pensionit dhe njohjen e statusit të minatorit. “Vendimi është absurd, pasi të paktën në zonën tonë nuk ka asnjë vlerë. Duhet që ish-minatori të jetë në kushte pune dhe për faktin se tani nuk ka më miniera apo ndërmarrje të këtij sektori shtetëror, pothuajse të gjithë janë të papunë. Nga minatorët e zonës na rezulton se kemi vetëm një person që përfiton pagesën e plotë të pensionit”,- thotë Gërxhalliu. Në lista për të kontestuar vendimin janë pothuajse të gjithë minatorët që kanë punuar në minierat e Gurit të Kuq, Çervenakës e Alarupit. Ata kanë firmosur një peticion për të kërkuar kundërshtimin e vendimit të fundit lidhur me pagesat e ish-minatorëve dhe shprehen se krahas peticioneve do të organizohen në protesta masive. Ish-minatorët e Pogradecit paralajmërojnë se do të nisin protestat para Kryeministrisë, për faktin se në vite nuk ka pasur asnjë favorizim dhe nuk është bërë njohja e statusit.

Minatorët
Ministria e Financave nuk ka pranuar të ulë moshën e daljes në pension për minatorët, pasi, kjo do të sillte prishje të skemës së sigurimeve, ndaj është gjetur si zgjidhje mënyra e dhënies së pagesës shtesë, si kundërpërgjigje për të plotësuar kërkesat e punonjësve të nëntokës. Kështu, pas protestave të herëpashershme të minatorëve, për të ulur moshën e daljes në pension, Ministria e Ekonomisë ka hartuar një projektligj të ri, “Për trajtimin e veçantë të minatorëve dhe punonjësve të tjerë që kryejnë punë të vështira”. Sipas draftit të ri, të përgatitur nga METE, parashikohet që mbi 3 mijë persona që i përkasin 117 profesioneve të vështira, edhe pse nuk do të dalin më herët në pension, mund të përfitojnë pagesë shtesë mujore. Sipas projektligjit të ri, përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenë 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion. Përsa i përket mënyrës së sigurimit të parave, fondi për të financuar pagesat shtesë nuk do të jetë pjesë e buxhetit të shtetit.

Drafti i qeverisë

Drafti i ri i qeverisë “Për trajtimin e veçantë të punonjësve që punojnë në profesione të vështira që i përkasin kategorisë së parë” u bë publik kohët e fundit nga zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës. Sipas Alibalit, projektligji për trajtimin e veçantë përfshin 117 profesione të vështira dhe nga ai do të përfitojnë rreth 3 mijë persona, të cilët, nuk kanë mbushur ende moshën e pensionit, por kanë plotësuar 15 vitet e punës dhe kanë derdhur 30 vjet kontribute shoqërore. Kjo është edhe pika që penalizon pjesën më të madhe të punonjësve të nëntokës, të cilët, nuk mund të përfitojnë nga ky projektligj, një pjesë për arsye se kanë dalë nga puna për shkak të reformës së bërë pas viteve ’90, ndërsa pjesa tjetër, që punon aktualisht në miniera, nuk përfiton, sepse nuk ka plotësuar vitet e nevojshme të punës. Por, përveç kësaj pjesë të minatorëve, projektligji i ri ka lënë pa trajtim shtesë edhe naftëtarët, pasi profesioni i tyre përfshihet në kategorinë e dytë të profesioneve të vështira, i cili ka dhe numrin më të madh të punonjësve.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›