E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia greke, dokumentet që duhet të paraqesin emigrantët



Artan CENA
ATHINË - Thjeshtohet procedura për marrjen e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi me prindërit e tyre, të cilët jetojnë pesë vitet e fundit si të ligjshëm. E njëjta procedurë është edhe për fëmijët që nuk kanë lindur në Greqi, por që kanë kryer të paktën 6 vjet shkollë dhe prindërit e tyre jetojnë prej pesë vitesh (të fundit) të ligjshëm në Greqi.
Pak ditë më parë filluan aplikimet për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërkohë që kanë filluar edhe regjistrimet në listat zgjedhore, ku emigrantët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin lokal këtë vjeshtë, madje dhe të kandidojnë për t’u zgjedhur. “Për mënyrën se si funksionojnë strukturat shtetërore në Greqi, fakti i zbatimit shumë shpejt të ligjit për pjesëmarrjen politike të emigrantëve, që hyri në fuqi para një muaji, përbën një befasi të këndshme”, - thotë BBC-ja. Ligji parashikon procedura të thjeshtësuara për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, apo që kanë kryer 6 vjet mësime në sistemin arsimor grek.
Dokumentet
Për të marrë nënshtetësinë greke emigrantët shqiptarë dhe fëmijët e tyre duhet të paraqesin një sërë dokumentesh. Siç është bërë e ditur, dokumentet që duhet të paraqesin në bashki janë: formular dhe deklarimi i fëmijës në regjistrin themeltar të bashkisë, të firmosur nga të dy prindërit, certifikatë lindje e fëmijës (Liksiaki Praksi), certifikatë e prindërve të fëmijës, dokument nga i cili vërtetohet se prindërit jetojnë pesë vitet e fundit të ligjshëm në Greqi, fotokopje e pasaportës së prindërve të fëmijës, vërtetim nga bashkia për vendbanimin e prindërve të fëmijës, faturën e pagesës së tarifës 100 euro në bashkinë e lagjes. Këto dokumente emigrantët duhet t’i dorëzojnë në bashki dhe më pas do të informohen për hapat e mëtejshëm. Çdo gjë është e thjeshtë dhe përfitojnë pothuajse të gjithë fëmijët, përveç atyre që nuk kanë njërin nga prindërit të legalizuar.
Kush përfiton
Në të vërtetë, këtë të drejtë emigrantët nuk e kanë masivisht, por vetëm ata që janë pajisur me leje afatgjata dhe që përllogariten në rreth 260 mijë veta. Gjysma e tyre janë emigrantë me origjinë greke, por shtetësi të një vendi tjetër, homogjenë, siç quhen në Greqi. “Në këtë sens, besoj se është një ndërhyrje totale, e cila jo thjesht fillon, por përfundon një cikël. Përfundon moshën e trazuar adoleshente të shtetit grek dhe e vendos atë në një periudhë të re, ku demokracia, pjesëmarrja politike e gjithë komponentëve të jetës shoqërore, është themeli i bashkëjetesës tonë, i vendimeve tona të përbashkëta”, - thotë sekretari për Politikën e Emigracionit, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si ndihmës i Avokatit të Popullit dhe është marrë kryesisht me problemet e emigrantëve.

Dokumentet që duhet të paraqiten në Bashki janë:
1-Formular dhe deklarim i fëmijës në regjistrin themeltar të bashkisë ,të firmosur nga të dy prindërit.
2- Certifikatë lindje e fëmijës (Liksiaki Praksi)
3- Certifikatë e prindërve të fëmijës
4- Dokument nga i cili vërtetohet se prindërit jetojnë pesë vitet e fundit të ligjshëm në Greqi.
5- Fotokopje e pasaportës së prindërve të fëmijës.
6-Vërtetim nga bashkia për vendbanimin e prindërve të fëmijës.
7- Faturën e pagesës së tarifës 100 euro në bashkinë e lagjes.

E drejta e votës për emigrantët dhe zgjedhja e tyre në këshilla lokalë
ATHINË - Pjesë e platformës së maxhorancës aktuale të Greqisë është edhe pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet për pushtetin lokal, ku ata do të kenë të drejtën jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjidhen në këshillat komunalë. Por, të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë vetëm emigrantët e pajisur me leje afatgjata, ose, sipas vlerësimit, rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të emigrantëve të ligjshëm me moshë madhore. (Më poshtë janë të plota pikat e amendamentit të qeverisë së Papandreut për dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtën për t’u zgjedhur për të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Greqi). Parlamenti grek ende nuk ka nisur shqyrtimin për çështjen e dhënies së të drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur në proceset zgjedhore vendore në vendin fqinj. Paketa e ndryshimeve ligjore që propozoi qeveria “Papandreu” hasi në kundërshtimin e Partisë Demokracia e Re. Sipas saj, Partia koalicioni qeverisës nuk ka strategji në çështjen e emigracionit. “PASOK-u, me mendësitë e tij të përcipta, ngatërron integrimin social të emigrantëve me dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtave politike”, - thuhet në reagimin e kësaj partie. Partia tjetër e djathtë, LAOS, e akuzon qeverinë se po tjetërson elektoratin dhe kërkon që të shtrohet në referendum mbarëpopullor çështja e dhënies së nënshtetësisë dhe të drejtave politike emigrantëve. Nga forcat e majta, Partia Komuniste vlerëson se qeveria zbaton taktikën e karotës për një kategori të kufizuar emigrantësh, ndërsa mban kamxhikun për shumicën e tyre. Koalicioni i së majtës i cilëson si hapa të nevojshëm masat e shpallura nga qeveria, por kritikon ndërlidhjen e tyre me zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Greqi, partitë politike paraqitën projekte me diferenca të konsiderueshme për emigrantët. Mes tyre kishte subjekte që kërkonin largimin e tyre nga Greqia.

Vendimi pas miratimit të ligjit
Lejet e qëndrimit afatgjata, Greqia ul tarifat me 300 euro
ATHINË - Ministria e Brendshme ka vendosur një ulje prej 300 eurosh për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi afatgjata. Nga 900 euro që ka qenë fillimisht, pas datës 24 mars 2010 të gjithë emigrantët do të paguajnë vetëm 600 euro, edhe pse kjo gjë është e pamundur në shumë raste, pasi një pjesë e madhe e shqiptarëve në këtë kohë krize në Greqi janë të papunë. Sipas nenit 30 të Ligjit Nr. 3838 të vitit 2010, ndryshojnë dispozitat e paragrafëve 2 dhe 6 të nenit 92, të Ligjit Nr. 3386 të vitit 2005, të cilat i referohen uljes së taksave të kërkuara për marrjen e lejes afatgjatë të emigrantëve. Në mënyrë të veçantë, më 24 mars 2010, data e publikimit të ligjit ndryshon shumë e taksës së kërkuar për marrjen e lejes së qëndrimit afatgjatë. Kjo tarifë reduktohet nga nëntëqind euro në gjashtëqind të tilla. Kërkesat për të fituar leje afatgjatë nga emigrantët janë paraqitur pas publikimit të ligjit. Kjo kërkesë duhet të bëhet sipas dispozitave të Dekretit Nr. 150 të vitit 2007, ose në përputhje me dispozitat e nenit 40 të Ligjit Nr. 3731 të vitit 2008. Pikërisht për të marrë lejen e qëndrimit afatgjatë do të paguhet vetëm tarifa prej 600 eurosh. Duhet pasur parasysh se këto tarifa nuk kompensojnë rinovimet e ardhshme. Nëse kërkesat është bërë pas publikimit të ligjit dhe emigrantët kanë paguar 900 euro, atyre duhet t’u kthehet menjëherë shuma që është paguar tepër, pra duhet t’u kthehen 300 euro. Gjithashtu, zyrat e regjistrimit duhet t’i informojnë të gjithë emigrantët se duhet të paguajnë tani vetëm 600 euro. Në këtë mënyrë, të gjithë emigrantët që rinovojnë dokumentet për leje qëndrimi afatgjatë do të paguajnë 600 euro. Kjo reformë e re e shtetit helen është pritur mirë nga emigrantët, shumica prej të cilëve janë shqiptarë.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›