E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shezai Rrokaj paraqet kërkesë për kandidimin për postin e kryetarit të LSI-së për Tiranën



Shezai Rrokaj ka paraqitur dje kërkesën pranë sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së për të kandiduar për postin e kryetarit të LSI-së për kryeqytetin. Sipas tij, kandidimi për këtë post është shumë i rëndësishëm për t’i dhënë një tjetër dimension këtij posti. “Vendimi i fundit i Kryesisë për t’i çelur rrugën konkurrimit në parti, në të gjitha forumet e saj, më dha bindjen se dhe unë, sikundër kolegu Edmond Panariti, të konkurroj për postin e kryetarit të Tiranës, pasi mendoj se kryeqyteti dhe LSI-ja në këtë rast meritojnë një drejtim në shumë dimensione, ku kontributi i të gjithëve, i imi nëse do të zgjidhem si kryetar dhe i gjithë kolegëve të tjerë është mjaft i rëndësishëm”, - ka shkruar Rrokaj në kërkesën e tij.
“Kryeqyteti është emri dhe simbolika e gjithë vendit. LSI-ja në Tiranë ka pretendime të jashtëzakonshme, Kryesia, partia dhe unë mendoj që me kandidaturën time t’i përgjigjem dëshirës sime personale, por dhe objektivave të partisë, që Tirana, siç ka qenë, por edhe më shumë, të shërbejë si bastioni kryesor i LSI-së dhe këtë gjë ajo ta shprehë që me zgjedhjet lokale që presim të vijnë vitin që vjen. Detyrat dhe projekti im është një projekt intelektual që synon Tiranën si kryeqytet, por sidomos punën që do të bëjnë me burimet njerëzore, siç është hapja e partisë, rritja e saj me prurje të reja, sidomos hapjen e partisë ndaj intelektualëve, dhe kjo ka qenë edhe një bga shtysat e mia për këtë gjë”, - është shprehur Rrokaj. Sipas tij, është shumë i rëndësishëm riorganizimi i LSI-së në Tiranë, mbulimi i të gjithë territorit me organizata të partisë. “Një rëndësi të veçantë do të marrë riorganizimi i LSI-së në Tiranë, në të njëmbëdhjetë njësitë që ajo ka, mbulimi i gjithë territorit me organizata të partisë e rigjallërimi i gjithë anëtarësisë së LSI-së, si dhe prurjet e reja. Në vend të veçantë do të marrë rinia, sepse LSI-ja është e vetmja forcë që lindi në demokraci dhe i takon që ta këtë në prioritetin e saj rininë. Në këtë pikëpamje unë mendoj se rinia e kryeqytetit, siç ka gjetur vend, do të ketë një hapësirë edhe më të madhe në konceptin tonë për drejtimin e Tiranës. Shpresoj që ajo të jetë dhe simbolika kryesore e zgjedhjeve të ardhshme të pushtetit vendor. Qëllimi ynë do të jetë riorganizimi i partisë në Tiranë, bërja e zgjedhjeve në të gjitha njësitë dhe pastaj përcaktimi i detyrave në përputhje me Kryesinë dhe me gjithë lidershipin e partisë për të dalë fitues në zgjedhjet vendore”, - ka shkruar Rrokaj.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e ka cilësuar këtë kërkesë të re për kandidim një moment të rëndësishëm që synon ridimensionimin intelektual të LSI-së. “Në këtë moment të rëndësishëm për të rritur rolin dhe dimensionimin intelektual të LSI-së, unë kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të mirëpres kandidaturën tuaj si një shenjë e angazhimit intelektual dhe qytetar për të kontribuar në politikë, që politika të fitojë dimensione qytetare, të fitojë peshë intelektuale, por dhe integritetin e njerëzve që bëjnë politikë”, - është shprehur Rama.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›